Site icon Telegrafi

“Kosovo, If Trump Wins”: Ueb-faqja që promovon shtetin e Kosovës, duke e shfrytëzuar emrin e Presidentit Donald Trump (Foto)

Zgjedhjet presidenciale në SHBA, ishte tema më e përfolur në botë ditëve të fundit. Ajo u përcoll me interes të madh jo vetëm nga amerikanët, por edhe nga e gjithë bota.

Përballja interesante mes Hillary Clinton nga radhët e demokratëve dhe atij republikan Donald Trump, nxiti debate në të gjitha rrafshet e shoqërisë, transmeton Telegrafi.

Në njërën anë kishim ish sekretaren e shtetit njëherit edhe gruaja e ish presidentit Bill Clinton dhe potencialisht presidentja e parë femër në vend, dhe në anën tjetër miliarderi kontravers Donald Trump, i cili njihet për gjuhë të vrazhdë dhe shpesh i cilësuar si ksenofob e racist.

Edhe në Kosovë kjo ngjarje u raportua nëpër mediat e shkruara dhe u përcoll nga televizionet me programe të dedikuara. Mirëpo, disa të rinjë këtë trend e shfrytëzuan pak më ndryshe.

Qasja kontroverse e kandidatit Trump, i bëri që shumë njerëz me ndikim në SHBA të deklarojnë se do të largoheshin nga vendi në qoftë se ai do të zgjidhej president.

Duke e parë këtë, ekipi i ‘Creotive’ i përbërë nga Argjend Haxhiu, Flamur Krasniqi, Fitim Krasniqi dhe Kushtrim Krasniqi, vendosën ta ndërtojnë një ueb-faqe informuese rreth Kosovës, duke e përmbushur nevojën për një të tillë me të gjitha informatat e nevojshme rreth historisë, turizmit, kulturës etj.

Ajo çfarë e bën të veçantë këtë ueb-faqe, është emri që këta të rinjë e kanë zgjedhur. Kosovo if Trump Wins – ksiftrumpwins.com duke i ftuar të gjithë ata që duan të ikin nga SHBA-të që ta zgjedhin Kosovën për të vizituar, punuar apo edhe jetuar.

Qasja sarkastike ndaj kësaj ngjarje ua tërhoqi vëmendjen shumë amerikanëve. Mirëpo ajo që e shtoi kuriozitetin dhe interesimin për këtë faqe, është kur Trump doli fitues i zgjedhjeve.

Ditën kur u shpall fitues, faqja arriti kulmin e vizitorëve. Fitorja e Trump ngjalli kureshtjen e mediave vendore dhe ato ndërkombëtare për këtë faqe, ku BBC në kuadër të programit të tyre The World në faqen pri.org, e nxorën intervistën me krijuesit e faqes.

Cilat do të jenë vendimet e Presidentit të ri të SHBA-ve në politikat e jashtme? A do të kenë ndikim pozitiv apo negativ këto vendime për vendin tonë? A do ta ndryshoj qasjen e Donald Trump ndaj emigrantëve dhe refugjatëve?

Për këto nuk mund të themi asgjë konkrete, mirëpo e sigurt është se populli amerikan përveç që e kanë një mik të madh në Ballkan, këtu do ta gjejnë edhe derën e hapur. /Telegrafi/

 

Exit mobile version