Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës U19, Adil Maliqi ka ftuar 20 futbollistë për tri ndeshjet e Dardanëve në kuadër të “Elite Round” për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2024.
Përfaqësuesja e Kosovës U19 nga 18 marsi deri më 26 mars do të qëndrojë në Slloveni, ku do t’i zhvillojë ndeshjet e fazës ‘Elite Round’.
Dardanët bëjnë pjesë në Grupin 1, ku janë edhe Spanja, Austria dhe Sllovenia. Kjo e fundit është nikoqire e turneut kualifikues.
Përzgjedhësi Adil Maliqi e ka publikuar listën e djelmoshave të cilët më 18 mars do të marrin rrugë për në Slloveni.
Në listën e përzgjedhësin gjenden edhe dy lojtarë që vijnë nga Superliga e Kosovës, Igball Jashari (Prishtina) dhe Elvir Gashijani (Llapi).
Ndeshjen e parë, Kosova U19 do ta luajë kundër Austrisë, më 20 mars, në orën 16:00 në stadiumin “TSC Trate Gornja Radgona”, më pas, më 23 mars, Dardanët do të ballafaqohen me Spanjën, po ashtu në orën 16:00 në të njëjtin stadium, derisa përballjen e fundit e kanë kundër Sllovenisë, më 26 mars, në orën 13:00 në stadiumin “Sportni Park Lendava”.
Vetëm lideri i grupit kualifikohet për në Evropian. /Telegrafi/