Telegrafi

Kosova U19 barazon me Maltën dhe kualifikohet në Elite Raund

Përfaqësuesja U19 e Kosovës është kualifikuar në Elite Raund të kualifikimeve për “Euro 2024”.

Kosova e ka mbyllur raundin kualifikues në pozitën e dytë të grupit 7 kualifikues, ndeshjet e të cilit janë mbajtur në Maltë.

Sot (e martë), Kosova zhvilloi duelin e fundit të grupit duke barazuar me rezultat 2-2 ndaj Maltës.

Me këtë barazim, Kosova U19 është ngjitur në pozitën e dytë në grup me pesë pikë të grumbulluara, një më pak se lideri Ukraina që ka gjashtë.

Kosova U19 do të paraqitet në Elite Raund së bashku me Ukrainën, pasi kanë lënë pas vetës Sllovakinë me katër pikë dhe Maltën me vetëm një pikë të fituar pas tri ndeshjeve të zhvilluara.

Për Kosovën, ky ishte barazimi i dytë në këtë grup, teksa ka regjistruar edhe një fitore për të siguruar kalimin tutje.

Ishte kombëtarja e Maltës ajo e cila kaloi e para në epërsi pasi shënuan në minutën e gjashtë të takimit, mirëpo Kosova u kundërpërgjigj me dy gola për të mbyllur pjesën e parë me avantazh prej 2-1.

Fillimisht, Eliot Bujupi shënoi për të barazuar shifrat në 1-1 pasi u tregua i saktë nga penaltia në minutën e 39-të, të cilën e fitoi Elvir Gashijani. Kosova epërsinë e mori vetëm tre minuta më vonë, saktësisht në minutën e 42-të, ku kësaj radhe autor i golit ishte Dior Gërbovci.

Sidoqoftë, në fund të ndeshjes, Malta shënoi edhe një herë tjetër duke barazuar shifrat dhe duke marrë pikën e parë në grup.

Përfaqësuesja e Kosovës për grupmoshat U19, ndeshjet e raundit elit do t’i luajë gjatë vitit të ardhshëm. /Telegrafi/