Federata e Futbollit e Kosovës ka organizuar Kampin përzgjedhës për vajzat e talentuara nën 17-vjeç, duke pasur parasysh faktin që shumë familje kosovare nga Diaspora kalojnë pushimet në vendlindje gjatë kësaj periudhe.
Me këtë rast gjatë tri ditëve përzgjedhësja e Kosovës U17, Sanije Krasniqi me stafin e saj ka pasur në dispozicion një grup të futbollisteve që luajnë në Diasporë, por edhe ato që luajnë në ekipet vendore.
Vajzat janë akomoduar në Kampin Nacional në Hajvali, ku tashmë ekzistojnë të gjitha kushtet e nevojshme për bujtinë dhe për zhvillim të të gjitha aktiviteteve të parapara për një kamp të tillë.
Në ditën e parë janë mbajtur dy stërvitje, derisa sot pasdite është zhvilluar një ndeshje kontrolluese, ku lojtaret janë ndarë në dy ekipe për t’u vlerësuar sa më mirë performanca e tyre.
Përzgjedhësja e kësaj grupmoshe Sanije Krasniqi shprehu rëndësinë e organizimit të këtij kampi në kontekstin e ndërrimit të gjeneratës.
Futbollistet e përfshira në këtë grumbullim nesër do të zhvillojnë edhe një stërvitje, derisa lojtaret që do të vlerësohen të dobishme për ekipin kombëtar do të grumbullohen edhe në muajin gusht, kur Kosova U17 do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore me Malin e Zi, që do t’i shërbejnë për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet kualifikuese që zhvillohen në vjeshtë në Kosovë.