Site icon Telegrafi

Kosova U17 femrat fiton bindshëm miqësoren e dytë me Malin e Zi

Kosova në grupmoshën nën 17-vjeç në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore bindëse në ndeshjen e dytë miqësore kundër Malit të Zi.

Pas fitores në ndeshjen e parë me shifrat 4-2, kësaj radhe Dardanet e reja kanë mbizotëruar plotësisht ndaj bashkëmoshatareve të tyre nga Mali i Zi duke fituar 3-0.

Të tre golat të përzgjedhurat e Sanije Krasniqit i realizuan në pjesën e parë.

Serinë e golave e hapi Shenarta Bela, me golin e realizuar në minutën e 11-të, për ta vazhduar më pas Sahare Berisha, me golin e minutës së 17-të.

Ndërkaq, golin e tretë dhe rezultatin përfundimtar e vendosi Albina Gegaj, në minutën e 27-të.

Në pjesën e dytë futbollistet e Kosovës e menaxhuan mirë lojën dhe nuk lejuan në asnjë moment t’u rrezikohet fitorja.

Pas ndeshjes përzgjedhësja Krasniqi u shpreh e kënaqur me atë çfarë treguan vajzat dardane në miqësoren e dytë.

“Ndjehem mirë në përgjithësi, por më shumë më pëlqen fakti se pas analizës së ndeshjes së parë vajzat janë munduar t’i zbatojnë detyrat dhe mendoj se ky rezultat pozitiv ka ardhur pikërisht nga puna e bërë gjatë këtyre ditëve. Meqenëse këto janë vajza të moshës së re jemi përpjekur që tek ato ta transmetojmë disiplinën në punë. Besoj se këto dy fitore do t’i motivojnë vajzat për ndeshjet kualifikuese”, ka theksuar Sanije Krasniqi.

Këto dy miqësore i kanë shërbyer përzgjedhëses Krasniqi që ta shohë formën e lojtareve dhe ta përgatisë sa më mirë ekipin për ndeshjet kualifikuese që zhvillohen muajin e ardhshëm në Shqipëri, e ku krahas Kosovës dhe Shqipërisë në Grupin 2 të Ligës B, marrin pjesë edhe Maqedonia e Veriut dhe Moldavia. Ndeshjet janë paraparë të zhvillohen prej 18 deri më 24 tetor.

Exit mobile version