Telegrafi

Kosova U17 e mbyll baras miqësoren e parë ndaj Maqedonisë së Veriut

Kosovës U17 ka zhvilluar sot ndeshjen e parë miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut U17, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, e cila u mbyll baras 1-1.

Të përzgjedhurit e Arbnor Morinës patën paraqitje të mirë që nga fillimi i ndeshjes, duke e dominuar atë në tërësi.

Në pjesën e parë Dardanët e rinj patën disa raste  derisa golin e parë e arritën në minutën 32′. Ishte futbollisti Dior Ilazi i cili i dhuroi epërsinë Kosovës për 1-0.

Ritmi i Dardanëve nuk ndryshoi as në pjesën e dytë. Ani pse futbollistët kosovar tentuan për ta thelluar epërsinë, mysafirët ishin tejet të vëmendshëm për çfarë edhe rezistuan.

Rezultati ndryshoi në minutën 75-të  kur futbollisti Albion Musliu arriti të konkretizojë një rast për mysafirët, duke shënuar golin e barazimit për Maqedoninë e Veriut.

Në kohën shtesë Dardanët fituan penallti, por që nuk arritën të ndryshojnë rezultatin.

Ndeshjen e dytë miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, Kosova e zhvillon të premten nga ora 11:00, po ashtu në stadiumin “Zahir Pajaziti”. /Telegrafi/