Site icon Telegrafi

Kosova U16 fiton ndaj San Marinos në turneun ‘UEFA Development’

Përfaqësuesja e Kosovës U16 e krijuar rishtazi, ka zhvilluar ndeshjen e parë ndërkombëtare në kuadër të turneut “UEFA Development U16” në Tiranë.

Dardanët U16, të cilët e nisën punën në fillim të muajit të kaluar në drejtimin e trajnerëve Mehmet Kurda, Ibrahim Domi, Fadil Ademi dhe Burim Sadiku, sot janë përballur me San Marinon, ndeshje të cilën e kanë fituar pas penalltive, 6:5, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 2:2.

Kosova e nisi mirë ndeshjen dhe në minutën e 10-të kaloi në epërsi përmes Omer Shalës. Mirëpo, San Marino u rikthye shpejt në rezultat me golin e realizuar nga penalltia. Dardanët kaluan sërish në epërsi në minutën e 30-të, kësaj radhe Rin Ahmeti shënoi nga penalltia. Megjithatë, në minutën e 50-të kundërshtarët arritën sërish të barazojnë shifrat, këtë herë me gol nga gjuajtja e lirë. Kësisoj, fituesi u përcaktua në serinë e penalltive, ku vendimtar për fitoren e Kosovës ishte portieri Ismajl Hasimi që bëri tri pritje në një seri prej 8 penalltive.

Përzgjedhësi Mehmet Kurda pas ndeshjes u shpreh: “Meqenëse kjo ishte ndeshja e parë e këtij ekipi prej që e kemi filluar punën një muaj më parë, mendoj se ishte një paraqitje e mirë. Patëm mundësi ta përfundonim ndeshjen në kohën e rregullt, pasi humbën disa raste, por ky është futbolli. Shkuam në penallti dhe fatmirësisht ishim më të mirë. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme ekipi të përmirësohet ende”.

Kosova në kuadër të turneut të UEFA-s në Tiranë do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje: më 4 mars kundër Shqipërisë dhe më 7 mars kundër Belizes.

Kosova U16 luajti me këtë përbërje: Ismajl Hasimi, Pashtrik Morina, Aldon Osmani, Omer Shala, Erin Demolli, Dion Bajrami, Butrint Idrizi, Rrezon Ademi, Rin Ahmeti, Festlind Graishta, Diell Tahiri: Luajtën edhe Redon Zekaj, Lorik Mehmeti, Erion Salihu, Leka Podvorica, Ari Malaj dhe Eduard Sekiraqa.

Exit mobile version