Site icon Telegrafi

Kosova U-17 në konkurrencën e femrave humb nga Gjermania U-17

(Foto: ffk-kosova.com)

Kosova U-17 në konkurrencën e vajzave ka pësuar humbje në ndeshjen hapëse të turneut kualifikues të rrethit të dytë për Evropianin 2022, që po zhvillohet nën organizimin e FFK-së.

Dardanet e reja nuk kanë arritur t’i rezistojnë Gjermanisë, duke pësuar në fund humbje me rezultat 4-0.

Vashat tona kanë arritur t’i bëjnë ballë rivaleve shumë më cilësore vetëm në pjesën e parë, pasi në pushim shkuan pa pësuar gol, falë edhe paraqitjes së shkëlqyeshme të portieres Alma Demiri.

(Foto: ffk-kosova.com)

Ndërkaq, në pjesën e dytë gjermanet ishin shumë më efikase, duke realizuar katër herë në portën dardane. Serinë e golave e hapi Jella Veit, në minutën e 54.

Katër minuta më vonë Maria Steiner realizoi për 2-0, derisa e njëjta lojtare shënoi edhe në minutën e 69-të. Ndërkaq, rezultatin përfundimtar e vendosi Paulina Platner, në minutën e 77-të.

Ndeshjen e radhës vajzat e drejtuara nga Kushtrim Munishi e zhvillojnë më 26 mars kundër Austrisë, në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 16:00.

(Foto: ffk-kosova.com)
Exit mobile version