Kosova U-17 (vajzat) ka shënuar fitore në ndeshjen e parë miqësore kundër Malit të Zi U-17, e cila u zhvillua sot (e martë) në Kampin Nacional në Hajvali. Dardanet e reja patën paraqitje të shkëlqyeshme në këtë takim, ndonëse edhe mysafiret rezistuan mjaft mirë.
Rezultati i kësaj ndeshje u zhbllokua në minutën e nëntë, kur Masha Tomasheviq shënoi nga penalltia. Megjithatë, vashat e drejtuara nga Sanije Krasniqi, arritën shumë shpejtë ta përmbysin rezultatin. Fillimisht shifrat i barazoi Rita Feka, në minutën e 11-të, derisa në minutën e 19-të Shenarta Bela realizoi golin e epërsisë 2-1. Por, malazezet u rikthyen shpejt me golin e dytë të Masha Tomasheviqit, në minutën e 23-të, duke u mbyllur pjesa e parë me shifrat 2-2.
Përkundër dominimit dhe rasteve të njëpasnjëshme të futbollisteve tona, ky rezultat mbeti i pandryshuar deri në minutat e fundit të ndeshjes, kur Sahare Berisha shënoi nga penalltia, në minutën e 89-të, teksa në minutat shtesë për rezultatin final u përkujdes Albina Gegaj.
Futbollistja Sahare Berisha pas fitores u shpreh e lumtur me paraqitjen dhe rezultatin e arritur: “Kjo fitore është shumë me rëndësi për neve. Prej fillimit kemi hyrë në lojë me këtë qasje për fitore. Edhe pse rezultati ka qenë i barabartë në pjesën më të madhe ne nuk jemi ndalur në kërkim të fitores. Kjo tregon që jemi të gatshme për miqësoren e ardhshme dhe për kualifikimet e muajit tetor. Jam e lumtur që goli im nga penalltia ishte përcaktues dhe atë ia dedikoj familjes time”, ka thënë Berisha.
Ndërkaq, përzgjedhësja Sanije Krasniqi, e cila për herë të parë e drejtoi ekipin kombëtar të kësaj grupmoshe theksoi se ende ka vend për përmirësime në lojën e Dardaneve të reja, teksa përgëzoi vajzat për lojën e treguar.
“Kemi pasur vetëm dy stërvitje dhe kjo është hera e parë që kam punuar me këto vajza. Jam e kënaqur me angazhimin dhe lojën e shfaqur. Gjithsesi, këto janë vajza të reja dhe ka kohë për t’u përmirësuar ende. Loja ka qenë e vështirë sepse rezultati ka mundur të jetë edhe në anën e kundërt, por angazhimi ynë në fund u shpërbly. Mendoj që me kombëtaret e regjionit jemi të barabartë. Tani miqësorja e dytë do të jetë më ndryshe, pasi i njoh më mirë edhe vashat tona, por edhe kundërshtarin”, ka theksuar Krasniqi.
Miqësorja e dytë zhvillohet të enjten, në orën 11:00, po ashtu në Hajvali.