Përfaqësuesja e Kosovës U-16 do të udhëtojë në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi do të marr pjesë në turneun e Dubait.
Përfaqësuesja e Kosovës për grupmoshën deri 16-vjeç, nën drejtimin e përzgjedhësit, Besnik Kollari, do të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar të kësaj grupmoshe në Dubai.
Ky turne i Dubait është paraparë të mbahet në muajin e ardhshëm, nga data 8 deri më 15 shkurt.
Sipas drejtorit për marrëdhënie me jashtë dhe të ekipeve përfaqësuese, Artan Govori, ftesa për pjesëmarrje në këtë turne ka ardhur nga Federata e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kosova nuk do të jetë përfaqësuesja e vetme në këtë turne, pasi krahas ‘Dardanëve’ dhe kombëtares nikoqire në grup do të jenë edhe disa kombëtare të mëdha.
Bëhet fjalë për kombëtaren e moshave të Belgjikës dhe atë të Republika së Çekisë.
Të gjitha shpenzimet e akomodimit në Dubai thuhet se do t’i mbulojë Federata e UAE-së, derisa FFK-ja do t’i mbulojë shpenzimet e udhëtimit.
Turne të tilla padyshim se janë të mirëseardhura dhe ndikojnë në zhvillimin e mëtejmë të ekipeve zinxhir të përfaqësuesve, prandaj FFK-ja është e përkushtuar që në vazhdimësi t’iu mundësojë aktivitete edhe jashtë kalendarit të garave zyrtare. /Telegrafi/