Përfaqësuesja e Kosovës U19 në ka pësuar humbje nga Sllovenia U19, në ndeshjen vendimtare për promovim në Ligën A për kualifikimet e Evropianit “Lituania 2024″.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin ‘Igrisce Terme” në Çatezh u mbyll me shifrat 5:2, në dobi të vashave sllovene. Rezultati u zhbllokua në minutën e 9-të kur shënoi Naja Miheliç.
Vetëm dy minuta më vonë Noelle Vilçnik shtoi epërsinë e slloveneve në 2:0, teksa Naja Miheliç shënoi pak para përfundimit të pjesës së parë për 3:0. E njëjta futbolliste kompletoi “HatTrik”-un vetëm dy minuta pasi filloi pjesa e dytë për 4:0.
Të përzgjedhurat e Albina Rrahmanit, në minutën e 51-të e ngushtuan disavantazhin me golin e Eltina Bozhdaraj.
E njëjta futbolliste realizoi edhe në minutën e 80-të, por ishte vonë për ndryshim të epilogut të ndeshjes, ngase paraprakisht në minutën e 61-të Sllovenia shënoi edhe golin e pestë përmes Nezha Çebashek.
Do theksuar se për Dardanet gjërat u vështirësuan edhe më shumë nga minuta e 60-të kur Kreshnike Ramaja u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë.