Telegrafi

Kosova me ngritje të jashtëzakonshme në renditjen e FIFA-s

Seria prej 14 ndeshjeve pa humbje dhe suksesi i arritur në turneun ndërkombëtar në Turqi, ka bërë që Kosova në konkurrencën e femrave të arrijë pozitën më të mirë në renditjen e FIFA-s që nga anëtarësimi i FFK-së në këtë institucion.

Kosova tani është e 91-ta, duke e përmirësuar pozitën e saj për nëntë vende dhe është Kosova që ka bërë përparimin më të madh në renditjen e FIFA-s.

Në fund të muajit të kaluar, Dardanet triumfuan në turneun e mbajtur në Alanya, duke fituar ndaj Hong Kongut, Estonisë dhe Indisë.

Në prill, Kosova do të nisë ciklin e ri kualifikues për Kampionatin Evropian, ku bën pjesë në Grupin B4 bashkë me Uellsin, Kroacinë dhe Ukrainën.

Sa i përket renditjes së FIFA-s, Spanja është e para, derisa pasohet nga Anglia, Franca, SHBA-ja e Gjermania. /Telegrafi/