Site icon Telegrafi

Kosova – kriza ndërkombëtare dhe trazirat sociale

Ekonomia botërore është duke përjetuar një stagnim për sa i përket zhvillimit të saj dhe këtë stagnim apo këtë ndalje të zhvillimit ekonomik janë duke e përjetuar shumë rëndë të gjitha shtetet në botë e sidomos shtetet të cilat janë në zhvillim dhe shtete e varfra, ndërsa shtetet kapitaliste apo me ekonomi të zhvilluar bashkëkohore ende janë duke qëndruar përballë kësaj krize ekonomike edhe pse këto shtete kanë filluar të infektohen me këtë virus ngjitës ekonomiko–financiar.

Për shkak të kësaj gjendjeje në ekonominë botërore shtetet e zhvilluara kanë filluar menjëherë të plasojnë në treg me miliarda dollarë amerikanë në mënyrë që të dalin nga kjo krizë , e me theks të veçantë këtu duhet cekur bankën qendrore angleze dhe shtetin amerikan.

Por si do ti përballojnë shtetet të cilat janë në zhvillim dhe shtetet e varfra , mbetet të shihet në të ardhmen. Megjithatë, parametrat ekonomik nuk japin shpresë se mund ti përballojë shteti më i ri në Evropë dhe në botë “KOSOVA“ pa marrjen e masave të parakohshme fiskale (reformat fiskale) në mënyrë që të mos e përjetojmë rëndë ngritjen e çmimeve të bukës, vajit, mishit, vajrave motorike (naftës e sidomos benzinës), materialeve ndërtimore, produkteve bujqësore, veshmbathjeve etj.

Është në favor të qeverisë së Kosovës ngritja e çmimeve në mënyrë që ajo të arsyetohet para popullit të Republikës së Kosovës se nuk mund të ketë ngritje ekonomike dhe se nuk mund të ketë zhvillim të hovshëm të Kosovës sepse edhe vetë shtetet me të zhvilluara ekonomike në botë po kanë vështirësi në stimulimin e ekonomive të shteteve të tyre.

Kosova si një shtet i ri në arenën ndërkombëtare është shumë vështire ta kalojë këtë periudhe kohore pa humbje ekonomike (fiskale) për arsye se ekonomia jonë nuk mund të stimulohet nga grantet e ndryshme qeveritare ngase buxheti i Kosovës është tejet i limituar dhe ky buxhet mjafton vetëm për financimet publike të domosdoshme dhe për disa investime kapitale si mundësi për mbulimin e pagave të më shume se 80.000 të punësuarve në administratën shtetërore të Republikës së Kosovës – administratë kjo e cila është joefektive për shkak të numrit të madh të të punësuarve jo profesionistë dhe militantë të partive politike, të cilat parti e kanë pasur pushtetin më herët dhe e kanë edhe sot, dhe qeverisin me të njëjtin prizëm politik dhe me të njëjtat parime siç kanë qeverisur më herët.

Asnjë i punësuar në administratën publike të shtetit të Kosovës nuk mund ti përballojë ngritjes së çmimeve (duke i veçuar Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, ministrat dhe zyrtarët e tjerë të lartë shtetëror të cilët kanë paga të majme) por çka t’ju bëjmë atyre qytetarëve të cilët nuk e kanë një vend pune e as një anëtar të familjes nuk e kanë në punë, si do ti përballojnë familjet e dëshmorëve, familjet e të zhdukurve, invalidët e luftës dhe të punës, familjet e varfra dhe një shtresë tjetër mjaft e rëndësishme e shoqërisë sonë – apo thënë më mirë ajo elita e një shoqëria siç janë studentët të cilët kanë të drejtë të radikalizohen dhe të kërkojnë jetë më të mirë.

Të gjitha këto shtresa të popullsisë janë të mllefosur me qeverinë dhe të indinjuara me koprracinë dhe neglizhencën që po e tregon qeveria e Republikës së Kosovës sa i përket reformave ekonomike e sidomos atyre fiskale – financiare.

Është momenti vendimtar për qeverinë e Republikës së Kosovës që të fillojë të elaborojë një plan për procesin e reformave ekonomike ngase përndryshe kjo gjendje mund të eskalojë dhe në këtë rast më së shumti e pëson populli.

Si të arrijmë deri te suksesi apo deri te evitimi i kësaj situate nuk është lehtë por, duhet një përkujdes dhe përgjegjësi në punën që e bënë kryeministri së bashku me ministrat e resorëve përkatës që e prekin, apo kanë të bëjnë më ekonominë në mënyre të drejtpërdrejt apo të tërthortë, ngase nga po këto ministri po varet edhe zhvillimi ekonomik i Republikës së Kosovës. Ky është edhe njëri prej faktorëve që dhuna apo situata e sigurisë mund të eskalojë në vend dhe vendi ynë të goditet nga një trazirë sociale.

Si faktor tjetër me rëndësi për evitimin e humbjeve ekonomike është stimulimi i ekonomisë së Kosovës e në veçanti dhënia e granteve qeveritare për zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë, po ashtu krijimin e kushteve të përshtatshme për prodhuesit vendorë, te cilët i kanë mjetet materiale dhe përkushtimin por, mungon siguria investive e këtu e kam fjalën si për kushtet infrastrukturore po ashtu edhe për kushtet ligjore.

Kosova ka kapacitete por në Kosovë mungon përkushtimi institucional, Kosova ka fuqi punëtore aktive por mungon marrëdhënia e punës, Kosova ka perspektivë por mungojnë projektet për të arritur deri te perspektiva – ndërsa projektet mungojnë si rezultat i asaj se nëpër ministritë përkatëse punojnë militantët e partive politike e jo ekspertët e profesionistët të cilët bredhin rrugëve të Kosovës duke kërkuar punë nëpër organizata vendore dhe ndërkombëtare, e po ashtu edhe nëpër firma private por është e kotë.

Kosovës nuk guxojnë t’i mungojnë projektet ekonomike ngase ky poashtu është një faktor mjaft me rëndësi në evitimin e humbjeve ekonomike ne vend . Kosova duhet të jetë përgatitur mjaft mire për zhvillimin e industrisë dhe njëherësh zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe pemëtarisë. Qeveria duhet të përkujdeset që të mos na mungojnë projektet për zhvillimin e Kosovës si në planin afat mesëm po ashtu edhe në planin afat gjatë ekonomik të vendit.

Populli i Kosovës tani më është vetëdijesuar dhe qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta kuptojë se mund të ndëshkohet keq nëse nuk ndërmerr diçka për përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj dhe për shtimin e intensitetit të punëve për sa i përket investimeve të jashtme në Republikën e Kosovës.

Përmirësimi dhe zhvillimi i ekonomisë së Republikës së Kosovës ndikon edhe në zhvillimin dhe përmirësimin e ekonomisë rajonale ( ballkanike ) dhe asaj botërore . Shpresoj se qeveria e Kosovës ka forcë ta rimëkëmbë ekonominë ngase për këtë është e votuar, gjasat reale për një gjë të tillë janë shumë të vogla por, megjithatë shpresa vdes e fundit.

(Autori është kandidat për master në Fakultetin Juridik të UP-ës. Drejtimi – Juridiko financiar dhe kryetar i OJQ “ Lobimi për ligjin dhe demokracinë”)

Exit mobile version