Telegrafi

Kosova fiton në miqësoren kundër Lihtenshtajnit

Përfaqësuesja e Kosovës U19 ka shënuar fitore në miqësoren kundër Lihtenshajnit, me rezultat 2-0, që u zhvillua të shtunën në Kampin Nacional në Hajvali.

Përzgjedhësi Adil Maliqi në këtë miqësore testoi kryesisht futbollistët e gjeneratës 2006 që luajnë në kampionatin vendor, por edhe disa lojtarë që luajnë në Evropë, e që nuk e patën mundësinë të luajnë në kampin e mbajtur javë më parë në Gjermani. Kosova e dominoi lojën, por rrugën e golit e gjeti vetëm në minutat e fundit.

Në pjesën e parë mundësinë më të mirë e pati Hamza Muçaj, kur nga gjuajtja e lirë qëlloi traversën. Ndërkohë, golat e fitores i realizoi Krenar Dulaj, në minutat 86-të dhe 90’+3′. Dulaj pas ndeshjes u shpreh i lumtur që e ndihmoi ekipin për t’iu gëzuar fitores.

“Ishte emocion i papërshkrueshëm për mua që shënova dy gola, sidomos për faktin se kjo ishte ndeshja ime e parë në fanellën e Kombëtares. Jam shumë i lumtur që me golat e mi e ndihmova ekipin për të shënuar fitore”, tha Dulaj.

I kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij u shpreh edhe përzgjedhësi, Adil Maliqi.

“Jam shumë i kënaqur me atë çfarë treguan djemtë në këtë ndeshje, e në fund edhe rezultati doli pozitiv. Duhet ta kemi parasysh se ky ekip u grumbullu për herë të parë bashkë para dy ditësh. Janë lojtarë që nuk e kanë njohur njëri-tjetrin, por arritën që të shfaqin lojë të mirë e të disiplinuar. Lihtenshtajni në letër duket kundërshtar i lehtë, por në fushë nuk është ashtu, ngase është një ekip kompakt dhe që luan bashkë në kampionatin e Zvicrës. Gjithsesi jam krenar me djemtë dhe me atë çfarë treguan. Jam i bindur se për ndeshjet kualifikuese do të ndërtojmë një ekip shumë të fortë, ngase kemi potencial”, tha Maliqi.

Ai bërë të ditur se në muajin e ardhshëm planifikon edhe një grumbullim, ku do të përpiqet të ketë në dispozicion futbollistët me të cilët parashikon të paraqitet në ndeshjet kualifikuese në nëntor.