Telegrafi

Kosova brenda muajit shkurt importoi 302GWh energji elektrike

Gjatë muajit shkurt të këtij viti Kosova ka importuar 302.33GWh energji elektrike, ndërsa ka eksportuar 143.7GWh.

Kështu është bërë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila ka publikuar raportin “Statistikat e Energjisë, shkurt 2023”, me të dhënat për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve tjerë.

“Importi i energjisë elektrike në shkurt të vitit 2023 ishte 302.33GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 143.7GWh, përfshirë edhe sasinë e transmisionit”, njofton ASK-ja, përcjell Telegrafi.

Sipas raportit, konsumi i energjisë për këtë muaj ishte rreth 1.4 për qind më i vogël.

“Energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 713.21GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 496.61GWh ose 1.4 për qind më i vogël krahasuar me muajin njëjtë të vitit paraprak. Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 13.94 për qind”, vijon raporti.

“Prodhimi bruto i energjisë elektrike nga termocentralet ishte 485.37GWh, prodhimi bruto i energjisë elektrike nga hidrocentralet ishte 26.51GWh dhe prodhimi bruto i energjisë elektrike nga era dhe ajo solare ishte 42.7GWh”, shton ASK-ja.

Në fund, raporti thekson se prodhimi i thëngjillit ishte rreth 7.95 mijë tonelata ose 1.64 për qind më shumë sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak. /Telegrafi/