Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka dërguar letër Anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në të cilën ka shpalosur qëndrimet në lidhje me propozimin e strukturës së re tarifore.
Në letër është shpjeguar se në bazë të kalkulimeve të bëra nga KOSID, del që faturat e rrymës për pjesën e shoqërisë që harxhon më pak energji elektrike do të pësojnë rritje. “Në bazë të kalkulimeve tona, sipas këtij propozimi, një familje që harxhon rreth 300-400 kWh energji elektrike në një muaj të verës do të paguaj 30-40% më shumë për faturën e energjisë elektrike”, thuhet në letër.
KOSID ka vlerësuar se propozimi i bërë nxitë konsumin e energjisë elektrike dhe rrezikon që përveç çmimeve më të larta, t’u shkaktojë qytetarëve edhe kosto të importit të shtrenjtë të energjisë elektrike në kohën e pikut.
Në letrën dërguar ZRRE-së, KOSID gjithashtu ka informuar se propozimi dëmton edhe bizneset e vogla dhe të mesme të cilët në bazë të raporteve të ZRRE-së, kanë një volum të konsiderueshëm të konsumit. KOSID informon se struktura e re tarifore nuk ofron masa incentive për ato biznese, një pjesë e madhe e të cilave kryejnë aktivitetin e tyre më të lartë biznesor kryesisht gjatë muajve të verës.
“Tarifat e propozuara, në këta muaj të verës do t’u shkaktoj këtyre bizneseve nga 9.09 €/kWh në tarifë të lartë, në 13.88 €/kWh; dhe nga 4.54 €/kWh në tarifë të ultë, në 5.78 €/kWh. Konsiderojmë që së paku është dashur të konsiderohen kostot që kjo do t’i shkaktojë aktivitetit biznesor, të bëhen llogaritje dhe t’u thuhet hapur që në krahasim me muajt e njëjtë të vitit 2016 do të ketë një rritje gjatë muajve të verës”, thekson letra e KOSID-it për anëtarët e ZRRE-së.
Tutje, KOSID konsideron se rruga drejt një tregu të integruar rajonal duhet arritur me një qasje më të balancuar, që nuk dëmton shtresat e ndjeshme të shoqërisë dhe nuk thellon pabarazinë sociale. Andaj, KOSID i ka bërë thirrje anëtarëve të Bordit të ZRRE-së që të marrë parasysh ato familje kosovare që nuk kanë mundësi të paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike ose që kanë investuar në masa të efiçiencës, si dhe bizneset e vogla dhe të mesme që operojnë në vend, dhe të mos ndryshoj strukturën aktuale të tarifave të energjisë elektrike. /Telegrafi/