Visar Azemi, nga KOSID ka ngritur shqetësimin në emisionin “Përballje” në RTV “Dukagjini” se me çfarë bazë ligjore po finalizohet projekti i Termocentralit “Kosova e Re”
Sipas tij, problem do të jetë edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe mundësia e mos përfundimit të Termocentralit “Kosova e Re” si rasti i Brezovicës.
“Po frikohem që do t’i ngjajë ajo që i ka ngjarë Brezovicës më herët por si përfundim një projekt i cili është duke vazhduar tash e 10 vite me shumë probleme, me jotranparencë”, ka deklaruar Azemi.
Sipas tij, ky projekt ka shumë pikëpyetje. “Edhe ministri nuk e ka të lehtë sepse besoj që as vet ky nuk don më shty këtë projekt sepse është tejet i dëmshëm”, ka thënë Azemi, shkruan Telegrafi.
Mirëpo ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka thënë se Termocentrali “Kosova e Re” nuk do të ketë fatin e Brezovicës dhe se janë të pakrahasueshme si raste.
“E para nuk janë projekte të krahasueshme. Sepse kjo është parakusht për zhvillim ekonomik”, ka deklaruar Stavileci.
Ndërsa Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë nga AKR-ja, ka deklaruar se “Kosova e Re” nuk do të jetë zgjidhje për furnizim me energji elektrike.
“Nuk do të jetë zgjidhja. Do të jetë një lehtësim, mirëpo prap do të kemi mungesë të energjisë elektrike”, tha Rexhepi. /Telegrafi/