Site icon Telegrafi

Korrja e suksesshme, këshilltarja e bujqësisë tregon teknikat dhe këshillat për fermerët

Pak para fillimit të sezonës së korrje-shirjeve, fermerët përgatiten me kujdes për të siguruar një korrje të suksesshme.

Koha e korrjes shënon kulmin e punës së fermerëve, duke filluar nga mbjellja e farave, mirëmbajtja e fushave dhe pastaj korrja e tyre duke përdorur teknika të ndryshme për të siguruar një prodhim të bollshëm dhe cilësor.

Këshilltarja e Bujqësisë nga organizata joqeveritare “KDC”, Ermira Isufi nga Gjilani, në një prononcim për Telegrafin flet për teknikat dhe aspektet kyçe për një korrje me prodhim të bollshëm.

Isufi thekson se fillimisht duhet bërë përcaktimi i kohës së duhur, që përfshijnë kontrollimin e pjekurisë së të mbjellave dhe ditët se kur duhet të bëhet korrja.

“Kontrolloni pjekurinë e të mbjellave për të përcaktuar kohën optimale të korrjes. Vlerësoni pjekurinë e të mbjellave bazuar në ngjyrë, teksturë dhe madhësi. Kjo mund të përfshijë matjen e përqindjes së lagështisë për drithërat ose vlerësimin vizual të frutave dhe perimeve”, shprehet Isufi.

Ajo thekson se duhet të zgjidhen ditët e thata dhe të ngrohta për korrje, pasi sipas saj lagështia mund të dëmtojë cilësinë e të mbjellave.

“Zgjidhni ditë të thata dhe të ngrohta për korrje, pasi lagështia e lartë mund të dëmtojë cilësinë e të mbjellave dhe të rrisë rrezikun e sëmundjeve. Korrni në kushte të thata për të reduktuar humbjen e grurit dhe për të ruajtur cilësinë e të mbjellave”, ka thënë Isufi.

Rëndësi të veçantë ka përgatitja e pajisjeve dhe makinerive, ku sipas këshilltares Isufi duhet që fermerët të sigurohen që kombajnat dhe pajisjet tjera të jenë të mirëmbajtura.

“Sigurohuni që kombajnat dhe pajisjet e tjera të jenë të mirëmbajtura dhe të pastra për të shmangur dëmtimin e të mbjellave”, ka theksuar Isufi, duke shtuar se edhe kalibrimi ose procesi i rregullimit dhe verifikimit të një pajisje, duhet të jetë esenciale për shkak të mos dëmtimit të të mbjellave.

“Kalibroni makineritë për të siguruar që ato të funksionojnë në mënyrë optimale dhe të mos shkaktojnë humbje ose dëmtime të panevojshme”, ka thënë tutje Isufi.

Lexo po ashtu Kosova siguron bukën e motit, Peci: Rekord i rendimentit të grurit, së paku do t’i kemi 300 mijë tonë të prodhuar

Në vazhdën e aspekteve kyçe, ajo ka theksuar edhe teknikat e korrjes, ku sipas saj duhet bërë përdorimi i metodave të duhura për korrje.

“Përdorni metodat e duhura të korrjes për çdo kulturë. Për shembull, për grurin, sigurohuni që të korrni në lartësinë e duhur për të minimizuar humbjet dhe dëmtimet. Përdorni teknikën e duhur për çdo lloj kulture për të minimizuar dëmtimet dhe humbjet”, është shprehur Isufi.

Në metodat efikase për prodhim të bollshëm, sipas Isufit hynë edhe trajnimi i punëtorëve për teknika të sakta të korrjes.

“Trajnoni punëtorët për teknikat e sakta të korrjes dhe për përdorimin e pajisjeve në mënyrë të sigurt dhe efikase”, ka thënë tutje këshilltarja, Ermira Isufi.

Isufi thotë se rëndësi ka edhe ruajtja dhe transporti.

“Përdorni kontejnerë dhe materiale ambalazhimi që mbrojnë të mbjellat nga dëmtimet gjatë transportit”, ka theksuar Isufi rëndësinë e ambalazhimit, duke thënë kështu se edhe sigurimi që ambientet e magazinimit të jenë të thata, të pastra dhe të ventilohen mirë për të parandaluar prishjen dhe humbjet, e ka rëndësinë e veçantë. Siguria dhe higjiena, janë metoda poashtu me rëndësi të veçantë që përfshijnë pajisjet mbrojtëse dhe procedurat e sigurisë”, është shprehur ajo.

Isufi ka shtuar se duhet siguruar që të gjithë punëtorët të përdorin pajisje mbrojtëse personale për të mbrojtur veten nga pluhuri, kimikatet dhe makineritë.

“Zbatoni dhe monitoroni rregullisht procedurat e sigurisë për të parandaluar aksidentet dhe dëmtimet gjatë procesit të korrjes”, ka thënë Isufi.

Isufi tutje thotë se duhet të bëhet edhe menaxhimi i mbeturinave e korrjes në mënyrë që ato të përdoren si plehra organike, ose për qëllime të tjera të dobishme.

Gjithashtu, sipas saj duhet të përdoren praktika të qëndrueshme që ndihmojnë në ruajtjen e mjedisit dhe në rritjen e shëndetit të tokës për sezonet e ardhshme.

Si përfundim Isufi thekson metodat e pas-korrjes, ku sipas saj duhet të bëhet analiza e rendimentit dhe cilësia e të mbjellave.

“Pas korrjes, analizoni rendimentin dhe cilësinë e të mbjellave për të identifikuar zonat për përmirësim në të ardhmen”, thotë Isufi, duke theksuar se duhet të mbahen edhe shënime të detajuara për çdo fazë të procesit të korrjes për të ndihmuar në planifikimin e sezonit të ardhshëm.

Isufi përfundon se zbatimi i këtyre këshillave mund të ndihmojë në sigurimin e një procesi të suksesshëm dhe efikas të korrje-shirjeve, duke maksimizuar rendimentin dhe cilësinë e të mbjellave. /Telegrafi/

Exit mobile version