Telegrafi

Korniza afatmesme e varfërisë

Duke analizuar dokumentin qeveritar “Korniza afatmesme e shpenzimeve 2010 – 2012” del në pah mungesa e një vizioni zhvillimor për Kosovën nga kjo Qeveri.

Ky dokument tregon qartë sfidat me të cilat ballafaqohet shoqeria kosovare, dhe mungesën e vizionit të lidershipit tonë për të gjetur modelin më të mirë për tu përballur me këto sfida. Papunësia dhe varfëria në vendin tonë çdo ditë e me tepër po rritet, ndërkaq politika aktuale nuk ka ndonjë alternativë për zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat po ballafaqohet shoqëria kosovare.

Rritja ekonomike sipas institucioneve ndërkombëtare është diku mes 3 dhe 4 %, ndërsa papunësia është rreth 35 deri 40 %. Po ashtu, çdo vit tregut të punës i shtohen diku rreth 29 mijë njerëz që kërkojnë punë, prandaj me këtë trend të zhvillimit vendi yne do te mbetet edhe një kohë te gjatë vend i varfër, si dhe me qytetarin më të varfër në Evropë.

Pikërisht, këto të dhëna dëshmojnë për një shpërputhje të madhe mes numrit të të papunëve dhe trendit të zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Ndërkaq kur këtyre kategorive i shtohet edhe rreth 40 % e popullatës sonë që jeton në nivelin e varfërisë dhe prej tyre 15% i takojnë varfërisë ekstreme atëherë situata bëhet alarmuese dhe tregon se sa duhet të punojmë për t’u përballur me këto sfida.

Situata vjen e përkeqësohet edhe me shumë, sepse investimet e huaja në Kosovë, në vitin 2008 kanë pësuar rënie të mëdha rredh 10% , në mungesë të politikave të mira për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë, por edhe si pasojë e krizës globale që aktualisht ka kapluar pjesën dërrmuese të vendeve në gjithën botën.

Republika e Kosovës po ballafaqohet me një rënie mjaft të madhe të remitancave afro 10% të cilat do te kenë ndikim në shumë sektorë të ekonomisë sonë. Këto dy katergori do te ndikojnë në zvoglimin e të hyrave te përgjithshme në vendin tonë brenda vitit për dhjetëra miliona euro. Një problem shumë i madh për zhvillimin ekonomik të vendit tonë vazhdon të jetë mungesa e energjisë elektrike. Po ta kthejmë mungesën e energjisë elektrike me koston që e pëson ekonomia kosovare na del se Kosova humb në mënyrë indirekte rreth 500 milionë euro në vit, ndërsa nga buxheti i Kosovës vetëm për këto tre vjet qeveria është detyruar të ndajë mbi 250 milionë euro.

Po ashtu një problem me të cilin ende po ballafaqohemi është sistemi arsimor. Më shumë se 50 % e popullsisë së Kosovës është nën moshën 25-vjeçare, ndërsa, 70 % e popullsisë së saj është më e re se 35 vjeç. Ky potencial i resurseve humane paraqitet si faktor joproduktiv me ketë sistem arsimor dhe me këto politika arsimore, sepse këto politika nuk janë në harmoni me ekonominë moderne të tregut. Fakt për një sistem arsimor që lëngon është edhe testi i fundit kombëtar i maturës, të cilin e kanë kaluar vetëm 45% nga rreth 25 mijë maturantë. Këto janë shifra alarmante sidomos për një vend si Kosova.

Duke parë se Kosova është shndërruar në një treg për vendet fqinje, atëherë është e vështirë të mendohet për fuqizimin e buxhetit të shtetit të Kosovës. Në dy sektorët më të rëndësishëm zhvillimor për vendin tonë ai i energjisë dhe i minierave po thuaj se më shumë janë bërë regrese sesa progrese.

Dinamika e “Kosovës C” dhe stagnimi i “Kosovës së Re”

Sektori energjetik është shndërruar tani tërësisht në varshmëri nga buxheti i Kosovës. Sikur të ishin ruajtur trendet e mëparshme, në vitin 2008, buxheti ynë do të ishte lehtësuar për qindra miliona euro nga ky sektori, sepse duhet te kishte filluar investimet e jashtme ne rehabilitimin e njësive te vjetra të Kosovës A, në hapjen e minierës së Sibovcit, dhe rehabilitimit të eskalatorëve. Për këto gabime Qeveria u detyrua të ndajë mbi 160 milionë euro dhe është duke humbur shumë zërin e vendit tonë në institucione ndërkombëtare. Ngadalësimi i projektit “Kosova C”, ka vënë në pikëpyetje thithjen e 3.5 miliard eurove dhe kjo është politikë e varfër dhe politikë e cila e mban Kosovën në listën e vendeve më të pa zhvilluar në Evropë.

Duke mos pasur guxim vendimmarrës për këto projekte të mëdha, buxheti i krijuar me vite të tëra po shpenzohet në mënyrë të gabuar, apo më shumë pak efekte gjeneruse. Politika që doganat të jenë bartës kryesor i të hyrave buxhetore tregon më së miri se ku është vizioni i ynë zhvillimor.
Sa i përket minierave metalike, posaçërisht Trepçës, ne mund të themi se ministria konkretisht qeveria ka bërë gabime tepër të mëdha në këtë sektor. Kjo qeveri ka mbetur ende në konceptin e hartimin e planeve dhe studimeve për Trepçen. Kjo është mangësi e madhe në politikat e kësaj Qeverie sa i takon këtij sektori.

Dikur kjo strukturë minerare krijonte të hyra rreth 220 milionë dollarë për vit ndërsa tani është e varur tërësisht nga donacionet e Qeverise se Kosovës. Kjo Qeveri duhet të ndërrojë [apo te merr përvojat e mira të shum vendeve] tërësisht konceptin e menaxhimit të resurseve natyrore, urgjentisht duhet të afrojë rreth vetes njerëz profesional që mund të ndihmojnë që këto dy shtylla ekonomike për vendin tonë të kthehen në profit për qytetarët e Kosovës.

Qeveria duhet të merret drejtpërdrejt me Trepçën dhe të filloj procesin e rimëkëmbjes së saj, duke krijuar partneritet me investitorë të jashtëm, në mënyrë që sektori i minierave, në bazë të llogarive të studiuara të bëhet njeri nga buxhetorët më të fuqishëm për Republikën e Kosovës.

Me një vizion të qartë dhe plane strategjike, Qeveria do të mund të krijonte kushte për punësimin e mbi 10 mijë punëtorëve të rinj në kompleksin e minierave metalike brenda disa viteve. Riaktevizimi minierav metalike do të ndërronte edhe bilancin tregtar shumë të varfër të vendit tonë. Prestigji i vendit tonë mund të rritet vetëm me politika të mençura në shfrytëzimin e këtyre resurseve. Qeveria duhet të bëjë hapa të mençur rreth projektit “Kosova C”, të shndërruar tashmë në “Kosova e Re”.

Dokumenti “Korniza afatmesme e shpenzimeve 2010 – 2012” tregon edhe njëherë se sa është e varfër kjo qeverisje, sa i përket vizionit për shfrytëzimin e burimeve natyrore si faktor kyç për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Prandaj, ftojmë qeverinë të hapë dyert e komunikimit me njerëz dhe institucione të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë që varfëria dhe papunësia në Kosovë të zvogëlohen. Zhvillimi ekonomik i vendit nuk është përgjegjësi vetëm e një kaste udhëheqëse politike, por është obligim i gjithë shoqërisë që jeton në të.

  /Autori është Deputet në Kuvendin e Kosovës/