Telegrafi

Koreja e Veriut thotë se testet e raketave janë “praktikë për sulme bërthamore taktike” ndaj Koresë së Jugut

Media shtetërore e Koresë së Veriut ka thyer heshtjen e saj mbi valën e fundit të testeve të raketave të vendit, duke pretenduar se ato ishin pjesë e një serie procedurash të simuluara që synojnë të demonstrojnë gatishmërinë e saj për të gjuajtur koka bërthamore taktike në objektivat e mundshëm në Korenë e Jugut.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, regjimi i Kim Jong Un ka testuar raketa balistike shtatë herë që nga 25 shtatori, duke rritur tensionet në nivelin më të lartë që nga viti 2017.

Duke cituar liderin Kim Jong Un, i cili mbikëqyri stërvitjet, Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA) tha se testet, të cilat përkonin me stërvitjet ushtarake të afërta midis Shteteve të Bashkuara, Koresë së Jugut dhe Japonisë, treguan se Pheniani ishte gati për t’iu përgjigjur tensioneve rajonale duke përfshirë “forcat e saj të mëdha të armatosura”.

KCNA tha se seria e shtatë stërvitjeve të “njësive të operacionit taktik bërthamor” të Koresë së Veriut tregoi se “forcat e saj luftarake bërthamore” janë “plotësisht të gatshme për të goditur dhe zhdukur objektet e vendosura në vendet e synuara në kohën e caktuar”.

Raporti i KCNA tha se stërvitjet e fundit, nga 25 shtatori deri më 9 tetor, ishin krijuar për të dërguar një “paralajmërim të fortë reagimi ushtarak për armiqtë” dhe për të verifikuar dhe përmirësuar aftësitë luftarake të vendit. /Telegrafi/