Telegrafi

Koreja e Veriut teston raketën balistike ndërkontinentale, që do të mund të arrinte edhe në SHBA

Koreja e Veriut ka testuar një raketë balistike ndërkontinentale të ndaluar (ICBM) për herë të parë që nga viti 2017, sipas Koresë së Jugut.

Zyrtarët japonezë vlerësuan se fluturoi 1,100 kilometra. Raketa ra në ujërat japoneze pasi fluturoi më shumë se një orë.

Një ICBM mund të udhëtojë mijëra kilometra në një trajektore standarde dhe teorikisht mund të arrijë në SHBA.

Koreja e Veriut ka kryer një sërë testesh raketore në javët e fundit.

SHBA-ja dhe Koreja e Jugut kanë thënë se disa nga ato teste, për të cilat Pyongyang pretendoi se ishin lansime satelitore, ishin në fakt teste të një sistemi ICBM.

Raketa e së enjtes arriti një lartësi prej më shumë se 6,000 kilometra, sipas zyrtarëve japonezë.

OKB-ja e ndalon Korenë e Veriut nga testet e armëve balistike dhe bërthamore dhe i ka vendosur sanksionet të rrepta pas testeve të mëparshme.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un vendosi një moratorium për testimin e raketave balistike me rreze të gjatë dhe testeve bërthamore, pas bisedimeve me presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Por në vitin 2020, ai njoftoi se nuk ishte më i lidhur me këtë premtim.

Në vitin 2017, Koreja e Veriut testoi një ICBM që arriti një lartësi prej rreth 4,500 kilometra.

Ekspertët vlerësuan se mund të kishte udhëtuar më shumë se 13 mijë kilometra nëse do të ishte shkrepur në një trajektore standarde, që do të thoshte se mund të arrinte në çdo pjesë të Shteteve të Bashkuara kontinentale. /Telegrafi/