Koreja e Veriut ka shkarkuar Pak Jong Chon, zyrtarin e dytë më të fuqishëm ushtarak pas liderit Kim Jong Un, njoftuan mediat shtetërore.
Pak, nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak të Partisë së Punëtorëve në pushtet dhe një sekretar i Komitetit Qendror të partisë, u zëvendësua nga Ri Yong Gil në takimin vjetor të komitetit javën e kaluar, tha të dielën agjencia zyrtare e lajmeve KCNA, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, nuk u dha asnjë arsye për ndryshimin.
Pheniani rregullisht “rinovon” udhëheqjen e tij dhe mbledhja e partisë në fund të vitit është përdorur shpesh për të shpallur “riorganizime të personelit dhe vendime të rëndësishme politike”.
Siç vënë në pah mediat e huaja, televizioni shtetëror tregoi Pak të ulur në rreshtin e parë të podiumit me kokën ulur gjatë takimit ndërsa anëtarët e tjerë ngritën duart për të votuar për çështjet e personelit.
Vendi i tij më vonë u tregua i zbrazët.
Ai mungonte gjithashtu në fotot e publikuara të hënën nga agjencia zyrtare e lajmeve KCNA të vizitës së Kim-it për Vitin e Ri në pallatin ku strehohen trupat e gjyshit dhe babait të tij, ndryshe nga tetori kur Pak shoqëroi Kim-in në një udhëtim në pallati për të shënuar përvjetorin e festës.
Komisioni Qendror Ushtarak i partisë, i cili drejtohet nga Kim, konsiderohet organi më i fuqishëm vendimmarrës ushtarak i vendit, mbi ministrinë e mbrojtjes.
Zëvendësimi i Pak erdhi pasi Kim bëri thirrje për zhvillimin e raketave të reja balistike ndërkontinentale dhe një arsenal më të madh bërthamor.
Shkarkimi i Pak vjen pavarësisht se Kim lavdëroi kryesisht përparimet e ushtrisë në zhvillimin e armëve gjatë takimit, ndryshe nga fushat e tjera ku ai vuri në dukje disa gabime dhe bëri thirrje për përmirësim. /Telegrafi/