Koreja e Veriut ka urdhëruar një bllokim të rreptë kombëtar pasi konfirmoi infeksionet e saj të para zyrtare me Covid-19.
Mediat shtetërore kanë raportuar një shpërthim të Omicron në kryeqytetin, Phenian, por nuk kanë deklaruar numrin e rasteve, përcjell Telegrafi.
Koreja e Veriut ka refuzuar çdo lloj programi vaksinash, edhe kur ofrohej një furnizim nga vende të tjera.
Në vend të kësaj, “kontrolloi Covid-in duke mbyllur kufijtë” – dhe nuk kishte regjistruar kurrë një rast, pavarësisht se ekspertët besonin se virusi ka qenë prej kohësh i pranishëm.
Të huajt thonë se popullsia 25 milionëshe e vendit është e cenueshme për shkak të mungesës së një programi të vaksinës kundër Covid-19, madje duke refuzuar ofertat nga komuniteti ndërkombëtar për të furnizuar me miliona vaksina të AstraZeneca dhe Sinovac të prodhuara në Kinë vitin e kaluar.
Ka pasur gjithashtu shqetësime për sistemin e varfër të kujdesit shëndetësor të Koresë së Veriut.
KCNA tha se udhëheqësi Kim Jong-un ishte zotuar të zhdukte shpërthimin, të cilin e quajti një “emergjencë të rëndë kombëtare”.
Në takimin që përshkruan rregullat e reja kundër Covid-19, Kim u pa duke veshur një maskë për fytyrën në televizion për atë që besohet të jetë hera e parë.
Ai shpejt e hoqi atë, ndërsa zyrtarët e tjerë të pranishëm vazhduan të mbajnë të tyren.
Ndryshe, një raportim i tillë vjen më shumë se dy vjet pas raportimit të një shpërthimi të pneumonisë në Wuhan, Kinë.
Më 31 dhjetor 2019, shpërthimi u gjurmua në një lloj të ri të coronavirusit, të cilit iu dha emri i përkohshëm 2019-nCoV nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që më vonë u riemërua SARS-CoV-2 nga Komiteti Ndërkombëtar për Taksonominë e Viruseve.
Deri më 10 maj 2022, ka pasur të paktën 6,266,376 vdekje të konfirmuara dhe më shumë se 518,368,648 raste të konfirmuara. /Telegrafi/