Site icon Telegrafi

Koreja e Veriut me paradë ushtarake në përvjetorin e partisë – por interesimi do të përqendrohet në “kulmin e spektaklit”

Tanimë është duke u spekuluar se Koreja e Veriut do të zbulojë armatimin e saj të fundit në një paradë të madhe këtë fundjavë, për të shënuar 75 vjetorin e partisë në pushtet.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, ngjarja, e cila do të shikohet me vëmendje rreth “përmirësimeve në aftësitë bërthamore dhe raketore të regjimit”, pritet të jetë më e madhja e këtij lloji në historinë e vendit.

Sipas 38 North, një faqe në internet që monitoron Korenë e Veriut, imazhet e fundit satelitore sugjerojnë se parada do të shfaqë mijëra trupa, të ndjekura nga udhëheqësi i tyre, Kim Jong-un.

Trupat këmbësore do të ndiqen nga tanket dhe automjetet e blinduara, por interesimi do të përqendrohet në kulmin e spektaklit, kur Kim mund të dërgojë një mesazh të fortë duke zbuluar raketa të reja me rreze të gjatë.

Harry Kazianis, një ekspert i Koresë tha se parada e së shtunës do të ishte shansi i Kim për të treguar “disa nga armët më të fuqishme në botë”.

Ai shtoi: “Ndërsa një shfaqje e tillë e fuqisë sigurisht është shqetësuese, kjo nuk do të shkaktojë një reagim të fortë nga Uashingtoni. Administrata Trump e ka bërë të qartë se cilat janë vijat e kuqe me Korenë e Veriut: raketa balistike ndërkontinentale [ICBM] dhe provat bërthamore, jo shfaqjet publike”.

Bisedimet bërthamore midis Kim dhe Donald Trump janë bllokuar që kur samiti i tyre në Hanoi i vitit 2019 përfundoi pa marrëveshje.

Një rinisje duket e pamundur derisa të dy palët të gjejnë gjuhë të përbashkët mbi kërkesën e Pyongyang për lehtësimin e sanksioneve dhe thirrjet nga Uashingtoni për përparim në denuklearizimin.

Sipas The Guardian, përvjetori vjen në një kohë pasigurie për Korenë e Veriut dhe udhëheqësin e saj.

Kim, shëndeti i së cilës ishte subjekt i spekulimeve në fillim të këtij viti, i është dashur që atëherë të luftojë me pandeminë e coronavirusit – edhe pse Koreja e Veriut vazhdon të pretendojë se nuk ka regjistruar asnjë rast të vetëm – katastrofat natyrore dhe një ekonomi të goditur nga sanksionet dhe një rënie e mprehtë në tregtinë me Kinën. /Telegrafi/

Exit mobile version