Koreja e Veriut ka njoftuar vdekjen e parë nga COVID-19, një ditë pasi vendi konfirmoi rastin e parë zyrtar të coronavirusit që nga fillimi i pandemisë.
Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut (KCNA) tha se 350 mijë njerëz janë trajtuar për ethe që janë përhapur në të gjithë vendin.
KCNA tha se pesë persona të tjerë kanë vdekur, por ende nuk janë të qarta arsyet e vdekjeve.
Të enjten, udhëheqësi i vendit urdhëroi një bllokim të rreptë kombëtar, pasi media shtetërore konfirmoi shpërthimin e parë zyrtar të COVID-19 nga një numër i paspecifikuar njerëzish në kryeqytetin Pyongyang, të cilët u infektuan me variantin Omicron, transmeton Telegrafi.
North Korea announces first COVID death with 350,000 treated for fever spreading 'explosively', state media says https://t.co/8UurmkeuSE
— Sky News (@SkyNews) May 13, 2022
Ai shtoi se dje u zbulua se 18 mijë njerëz kanë simptoma të etheve ndërsa 187,800 njerëz janë izoluar për trajtim.
Ndërkohë, lideri korean Kim Jong-un vizitoi selinë e parandalimit të epidemisë të enjten, ku kritikoi zyrtarët shëndetësor për dështim në parandalimin e pandemisë.
Koreja e Veriut deri më tani ka shmangur vaksinat e ofruara nga skema e shpërndarjes COVAX e mbështetur nga OKB-ja, ndoshta sepse ato kanë kërkesa ndërkombëtare për monitorim.
Disa ekspertë thonë se njoftimi i shpërthimit mund të sinjalizojë një gatishmëri për të marrë ndihma nga jashtë vendi.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian tha të enjten se Pekini i ka ofruar ndihmë Koresë së Veriut.
Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut, e cila merret me çështjet ndër-koreane, tha se ishte e gatshme t’i ofronte ndihmë mjekësore dhe ndihmë të tjera Koresë së Veriut. /Telegrafi/