Site icon Telegrafi

Koreja e Veriut lanson dy raketa, në kohën kur SHBA-të dhe Koreja e Jugut po përgatiten për stërvitjet e përbashkëta ushtarake

Koreja e Veriut ka lansuar dy raketa në det, kanë njoftuar zyrtarët e Koresë së Jugut.

“Në orët e para të mëngjesit të sot, kemi detektuar shkrepjen e dy raketave në pjesën perëndimore të detit në Onchon në provincën Pyongan”, ka bërë të ditur një zyrtar ushtarak, transmeton Telegrafi.

“Autoritetet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe ata të Koresë së Jugut, po analizojnë në detaje specifikat siç është distanca e fluturimit”, ka shtuar zyrtari ushtarak, raporton AFP.

Ky lansim vjen një ditë pasi Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara filluan përgatitjet për stërvitjet e përbashkëta ushtarake, të njohura si Ulchi Freedom Shield që do të mbahen nga 22 deri në 26 gusht.

Në anën tjetër, presidenti jugkorean Yoon Suk-yeol ka deklaruar se është i gatshëm t’i ofrojë ndihmë ekonomike Koresë së Veriut, nëse i jep fund zhvillimit të arsenalit bërthamor dhe të fillojë denuklarizimin.

Pyongyangu pati kryer një sërë testimesh të armëve në fillim të vitit, pavarësisht se është sanksionuar për shkak të programit të armëve bërthamore. /Telegrafi/

Exit mobile version