Koreja e Veriut gjuajti një raketë të paidentifikuar në ujërat e saj lindore të mërkurën, njoftoi ushtria koreano-jugore dhe japoneze.
Lëshimi i fundit erdhi pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un premtoi në një konferencë të partisë në pushtet javën e kaluar se do të forconte më tej aftësitë ushtarake.
Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut njoftoi se Koreja e Veriut gjuajti një predhë drejt ujërave të saj lindore mëngjesin e së mërkurës, pa dhënë më shumë detaje, raporton bbc.
Ministria japoneze e Mbrojtjes nuk dha shumë detaje gjersa deklaroi vetëm se Koreja e Veriut hodhi diçka që ndoshta ishte një raketë.
Koreja e Veriut testoi një seri armësh të reja të zhvilluara në muajin shtator dhe nëntor të vitit të kaluar, duke përfshirë raketa me aftësi bërthamore.
Disa ekspertë thonë se Koreja e Veriut po ushtron presion mbi rivalët për ta pranuar atë si një shtet bërthamor dhe për të lehtësuar sanksionet ndërkombëtare ndaj atij vendi.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka thënë vazhdimisht se është e hapur për të vazhduar diplomacinë bërthamore me Korenë e Veriut “kudo dhe në çdo kohë” pa parakushte. Veriu deri më tani ka hedhur poshtë përpjekjet e tilla, duke thënë se armiqësia e SHBA mbetet e pandryshuar. /Telegrafi/