Site icon Telegrafi

Koreja e Veriut fiku radion që transmetonte kodet misterioze, Kim Jong-un i thotë ushtrisë të “bëhet gati!”

Koreja e Veriut fiku një radiostacion të cilin e përdorte për t’u dërguar mesazhe të koduara agjentëve të saj në Korenë e Jugut, raportoi të shtunën agjencia e lajmeve Yonhap, shenja më e fundit se si vendi i izoluar do të trajtojë marrëdhëniet me Seulin.

Siç raporton Reuters, përcjell Telegrafi, Koreja e Veriut ka ushtruar presion ndaj Seulit në javët e fundit, duke e shpallur atë “armikun kryesor” duke thënë se Veriu nuk do të ribashkohet kurrë me Jugun dhe u zotua se do të rrisë kapacitetet e tij për të kryer një sulm bërthamor në SHBA dhe tek aleatët e Amerikës në Paqësor.

“Radio Pyongyang”, në të kaluarën transmetonte numra të koduar misterioz që supozohej se i shkonin spiunëve të Phenianit që vepronin në Korenë e Jugut. Uebsajti i saj gjithashtu u fik të shtunën.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, gjatë një takimi të fundvitit të partisë së tij, urdhëroi një “ndryshim vendimtar të politikës” në marrëdhëniet me Jugun, duke udhëzuar ushtrinë që të përgatitet për të ‘qetësuar’ dhe pushtuar Jugun në rast të një krize.

Të shtunën herët, Koreja e Veriut njoftoi planet për të shpërbërë organizatat përgjegjëse për shkëmbimet civile me Korenë e Jugut.

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut mbeten teknikisht në luftë pasi Lufta Koreane e viteve 1950-53 përfundoi me një armëpushim, jo me një traktat paqeje dhe tensionet po rriten. /Telegrafi/

Exit mobile version