Telegrafi

Koreja e Jugut me të shtëna paralajmëruese pasi ushtarët e Koresë së Veriut kanë kaluar kufirin

Ushtria e Koresë së Jugut ka paralajmëruar me të shtëna Korenë e Veriut ushtarët e së cilës e kanë kaluar kufirin së fundmi, kanë njoftuar Shefat e Përbashkët të Shtabit të Seulit (JCS).

Bëhet e ditur se menjëherë pas të shtënave paralajmëruese, ushtarët e Koresë së Veriut janë tërhequr.

Siç raportohet, ata kishin shkelur vijën e demarkacionit ushtarak në mes të dy Koreve, që kalon përmes Zonës së Çmilitarizuar (DMZ).

Ky është të paktën incidenti i tretë i tillë në muaj, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Megjithëse përplasje vdekjeprurëse kanë ndodhur herë pas here gjatë dekadave që kur luftimet e hapura midis dy vendeve u ndalën me Luftën Koreane 1950-1952, incidentet e fundit shënojnë një rritje të rrallë të aktivitetit pranë vijës së demarkacionit.

Lexo po ashtu Drama në kufirin e dy Koreve, ushtarët e Veriut vendosën mina nga të cilat humbën vetë jetën - të shtëna paralajmëruese nga Jugu

Kim Yo Jong, motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka lëshuar një deklaratë me anë të së cilës dënon aktivistët e Koresë së Jugut që fluturuan balona e fletushka drejt Veriut.

Lëshimi i balonave ka qenë një burim tensioni në rritje midis dy Koreve, me atë të Veriut që fluturoi balona me mbeturina në atë të Jugut, e cila shpejt iu kundërpërgjigj me transmetimet me altoparlantë dhe të tjerë balona.

Ndryshe, incidenti vjen pasi presidenti rus, Vladimir Putin, vizitoi Phenianin për herë të parë në 24 vjet. /Telegrafi/