Telegrafi

Koreja e Jugut raporton numrin më të madh të rasteve me COVID-19 që nga marsi

Koreja e Jugut raportoi 583 raste të reja me coronavirus të enjten, numri më i lartë që nga marsi, pasi ndeshet me një valë të tretë të infeksioneve që duket se po përkeqësohet pavarësisht nga masat e reja të ashpra të distancimit shoqëror.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, Qeveria rivendosi rregulla të rrepta të distancimit shoqëror në Seul dhe rajonet përreth kësaj jave, vetëm një muaj pasi ato ishin lehtësuar pas valës së dytë të infeksioneve.

Tani disa ekspertët thonë se qeveria vendosi shumë herët për të zbutur ato rregulla, pasi numri i rasteve zyrtare ditore tejkalon 500 për herë të parë që nga 6 marsi.

“Lehtësimi u bë për shkak të shqetësimeve ekonomike dhe lodhjes në rritje, por ishte i parakohshëm dhe solli vetëkënaqësi te njerëzit”, tha Kim Woo-joo, një profesor i sëmundjeve infektive në Spitalin Universitar Korean Guro në Seul.

Vala e parë e Koresë së Jugut u shfaq në fund të shkurtit nga takimet e një sekti fetar, por rastet e fundit janë shpërndarë më shumë rreth kryeqytetit Seul, duke i bërë ato më të vështira për tu gjurmuar dhe për tu kontrolluar.

“COVID-19 ka mbërritur pranë teje dhe familjes tënde”, tha ministri i Shëndetësisë, Park Neung-hoo në një takim televiziv të zyrtarëve shëndetësorë.

“Në veçanti, përhapja e infeksioneve midis brezave të rinj është e jashtëzakonshme”.

Zyrtarët shëndetësorë nuk iu përgjigjën direkt kritikave se qeveria kishte qenë shumë e shpejtë për të lehtësuar kufizimet pas rritjes së mëparshme të infeksioneve në gusht.

Ata kanë shprehur keqardhje për ndikimin ekonomik të masave të fundit, që vijnë menjëherë pasi ekonomia e katërt më e madhe e Azisë u kthye në rritje në tremujorin e tretë.

Siç thuhet më tej, nga rastet e fundit, 553 u transmetuan lokalisht dhe pothuajse 73% e tyre ishin në zonën më të madhe të Seulit, tha Qendra Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (KCDC).

Ndërkohë infeksionet totale në Korenë e Jugut janë 32,318, me 515 vdekje. /Telegrafi/