Site icon Telegrafi

Koreja e Jugut i përgjigjet provokimeve të Veriut me stërvitje raketore

Koreja e Jugut ka testuar një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi në Detin e Verdhë në përgjigje të serisë së fundit të testimeve raketore të Koresë së Veriut.

Bëhet e ditur se Komanda e Strategjisë së Raketave të Jugut ka testuar ​​një raketë Hyunmoo-2 nga qarku bregdetar perëndimor i Taean.

Raketa fluturoi afërsisht 201 kilometra dhe goditi një objektiv virtual në det.

Stërvitja ishte një përgjigje e simuluar që synonte të godiste objektivin në rast se Koreja e Veriut sulmon me një raketë balistike, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

“Përmes kësaj stërvitjeje me zjarr të drejtpërdrejtë, ushtria jonë demonstroi vullnetin e saj të fortë për t’iu përgjigjur me vendosmëri çdo provokimi nga Koreja e Veriut dhe aftësinë dhe gatishmërinë e saj për të goditur saktësisht burimin e provokimit të armikut”, tha JCS.

Ushtria tha se po monitoron nga afër aktivitetet e ndryshme ushtarake të Koresë së Veriut dhe po ruan gatishmërinë për t’iu përgjigjur çdo provokimi.

Ndryshe, Koreja e Veriut testoi ​​disa raketa me rreze të shkurtër veprimi në Detin Lindor, disa orë përpara hapjes së qendrave të votimit për zgjedhjet presidenciale në SHBA.

SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia organizuan një stërvitje të kombinuar ajrore në përgjigje të lëshimit të Veriut.

Stërvitja trepalëshe mobilizoi një bombardues amerikan B-1B dhe aeroplanë luftarakë nga aleatët mbi ujërat në lindje të ishullit Jeju të Koresë së Jugut. /Telegrafi/

Exit mobile version