Koreja e Jugut tha të martën se kishte nënshkruar marrëveshje për të siguruar vaksinat për coronavirus për 44 milionë njerëz vitin e ardhshëm, por nuk do të ngutet me përdorimin e tyre për të lejuar më shumë kohë për të vëzhguar efektet anësore të mundshme.
Një qasje e tillë e kujdesshme, sipas Reuters, përcjell Telegrafi, vjen ndërsa vendi lufton me rastet me coronavirus që autoritetet shëndetësore thonë se kërcënojnë të mbingarkojnë sistemin mjekësor.
Gjithsesi, vende të tjera tanimë kanë filluar me procesin e shqyrtimit, përkatësisht përdorimit të tyre, me Britaninë e Madhe e cila tanimë ka filluar vaksinimin.
Ndryshe, Qeveria e Koresë së Jugut ka porositur 20 milionë doza, nga AstraZeneca Plc, Pfizer Inc dhe Moderna Inc dhe 4 milionë doza të tjera nga Johnson & Johnson’s Janssen, të mjaftueshme për të mbuluar deri në 34 milionë njerëz, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Park Neung-hoo në një konferencë.
Ndërkohë doza shtesë për 10 milionë njerëz do të prokurohen përmes projektit global të vaksinave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i njohur si COVAX, shtoi ai.
Por pavarësisht rritjes aktuale të rasteve, suksesi relativ i Koresë së Jugut në “shtypjen e valëve të mëparshme” do të thoshte që qeveria nuk kishte nevojë të nxitonte për një vaksinë, tha Park.
“Ne nuk e shohim të nevojshme të fillojmë me nxitim vaksinimin, pa u siguruar që rreziqet e vaksinave janë verifikuar”, tha ai.
Agjencia e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve e Koresë së Jugut raportoi 594 raste të reja me coronavirus të hënën, duke e çuar totalin e vendit në 38,755, me 552 vdekje. /Telegrafi/