Kapiteni i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, shpreson të bëjë një transicion të suksesshëm siç kishte bërë ish-bashkëlojtari i tij Paul Scholes, nga një lojtar me qasje ofensive në një mesfushor kreativ, raporton Reuters.
Me talent të rinj dhe të shpejtë duke dalë në skenë, përfshirë edhe dyshen ofensive të Man. Utd, Anthony Martial dhe Marcus Rashford, Rooney pranon se duhet të bjerë më thellë në mesfushë nga roli i tij i preferuar i qendërsulmuesit, përcjell Koha Ditore.
Trajneri i Man. Utd, Louis van Gaal, e ka vendosur sulmuesin 30-vjeçar, Rooney, në mesfushë dhe pati ndikim të mirë, ndërsa skuadra triumfoi në gjysmëfinale të FA Cup ndaj Evertonit dhe kapiteni i Anglisë tregoi siguri dhe aftësi për të përballuar këtë ndryshim.
“Unë kam luajtur në atë pozitë disa herë gjatë karrierës dhe mund të luaj në atë pozitë. Kam luajtur dhe e kam shikuar Paul Scholesin duke luajtur atë pozitë me vite”, ka thënë Rooney.