Telegrafi

Konglomerati meksikan Alpek ia beson Contour Global termocentralet duke investuar 801 milionë dollarë

Konglomerati nga Meksika dhe udhëheqësi botëror në fushën e prodhimeve petrokimike Alpek, ia beson Contour Global projektet e operimit të elektranave që prodhojnë rrymë dhe nxehtësi nga gazi natyror, pa të cilat ky konglomerat e ka të pamundur prodhimin.

Alpek është një kompani udhëheqëse petrokimike që vepron në dy segmente biznesi: poliestër dhe plastikë dhe prodhime kimike. Kompania operon 26 centrale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë, Kanada, Brazil, Argjentinë dhe Kili, ku punëson më shumë se 5,900 njerëz. Kompania është e listuar në bursën meksikane.

Marrëveshja e nënshkruar në mes Contour Global dhe Alpek parasheh investimin prej 801 milionë dollarësh nga Contour Global dhe përfshinë dy elektrana të kombinuara të ngrohjes dhe energjisë nga gazi natyror, si dhe zhvillimin e një projekti të tretë në Meksikë.

Sipas njoftimit, rryma e qëndrueshme e prodhuar nga këto elektrana të kombinuara nga Contour Global do të jetë esenciale në furnizimin e këtyre fabrikave me rrymë dhe për vazhdimin e prodhimit.

Contour Global, kompania me të cilën Kosova ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, në Meksikë do të investojë 724 milionë dollarë para të gatshme dhe një pagesë shtesë prej 77 milionë dollarë në mbyllje për të mbuluar TVSH-në.

Të vendosura në afërsi të fabrikave industriale të Alpek, elektranat e kombinuara me burim gazin natyror, Cosoleacaque dhe Altamira, kanë një kapacitet bruto të instaluar prej 518 megavatësh.

“Ne jemi të lumtur të zgjerojmë biznesin tonë në Meksikë me blerjen e termocentraleve të kombinuara të Alpek. Ne kemi zhvilluar biznesin tonë gjatë dekadës së fundit me klientët si Alpek dhe presim që të nxisim rritjen e tyre gjatë një periudhe afatgjate”, deklaroi shefi ekzekutiv në kompaninë Contour Global, Joseph Brandt.

Përveç kësaj, Contour Global po planifikon të marrë të drejtat dhe lejet e zhvillimit për një fabrikë të tretë ngjitur me një kapacitet të planifikuar prej 414 megavatësh.

Kohë më parë Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjet me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e termocentralit të ri Kosova e Re. Gjithsej, kompania ka prezencë në 18 vende të ndryshme në botë dhe projekte që tejkalojnë 4800 megavat të prodhimit të energjisë elektrike.

Sipas paralajmërimeve nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe nga vet kompania e kontraktuar për ndërtimin e Kosovës së Re, termocentrali i ri në Kosovë pritet të sjellë siguri energjetike në vend dhe kapacitete të mjaftueshme për furnizim të rregullt me energji elektrike.

Projekti do të përfundojë humbjet e bizneseve në vend që kapin vlerën prej 300 milionë eurosh, të shkaktuara nga furnizimi jo i rregullt me energji elektrike. /Telegrafi/