Site icon Telegrafi

Konferenca e Turizmit dhe Mikpritjes në Prizren sivjet trajton konceptin e turizmit masiv

Edicioni i dytë i Konferencës së Turizmit dhe Mikpritjes (KonTur) në Prizren që organizohet nga OJQ “Educo” do të mbahet në Qendrën Evropa nga data 27 shtator deri më 29 shtator.

Synimi është që ky organizim të shërbejë si një platformë për ekspertët, praktikuesit dhe palët e interesuara për të shkëmbyer njohuri, ide dhe bashkëpunime në mënyra të ndryshme për të përmirësuar industrinë e turizmit, raporton Telegrafi.

KonTur, sipas organizatorëve, në këtë edicion do të trajtoj temën “Kon-Tur-bulenca”, e cila lidhet ngushtë dhe në mënyrë direkte me konceptin e turizmit masiv.

“Kjo temë thekson qëllimin e arritjes së ekuilibrit dhe harmonisë mes turmave plot zhurmë; Përcjell idenë e menaxhimit të volumit të lartë të turistëve në një mënyrë që të sigurojë një përvojë pozitive si për vendasit ashtu edhe për vizitorët, duke adresuar njëkohësisht nevojën për rregullim dhe planifikim të menduar”, thuhet në njoftimin e OJQ “Educo”.

Tema e sivjetme, sipas organizatorëve të kësaj konference, do të rezonojë me audiencën duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit unik të Prizrenit, ndërkohë që përfitimet e turizmit shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme.

Në njoftim thuhet se gjatë aktiviteteve do të bëhet thirrje për një angazhim të përbashkët për të siguruar që Prizreni të mbetet një destinacion i veçantë dhe i mbrojtur për brezat e ardhshëm.

Përmes paneleve të ndryshme, “Kon-Tur-bulenca”, do të inkurajojë diskutimin mbi mënyrat se si qyteti mund të ruajë autenticitetin e tij dhe të mbrojë mjedisin nga pasojat negative të turizmit masiv, raporton Telegrafi.

“Ajo përçon mesazhin se turizmi masiv mund të “zhvendosë” ose “mbyllë jashtë” komunitetet lokale, trashëgiminë kulturore dhe bukuritë natyrore, duke theksuar urgjencën për të adresuar këtë problem dhe për të gjetur një mënyrë më të qëndrueshme për të menaxhuar turizmin”, thuhet në njoftim.

Krahas diskutimeve mbi ndikimin e turizmit masiv në vend dhe rajon, KonTur synon edhe propozimin e mekanizmave dhe strategjive për turizëm të qëndrueshëm sikurse edhe nxitjen e bashkëpunimit në mes palëve të interesit që veprojnë në industrinë e turizmit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version