Në kuadër të përpjekjeve për thellimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës, gjatë fundjavës në amfiteatrin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren është mbajtur koncerti folklorik me pjesëmarrjen e grupeve nga Bullgaria, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Mali i Zi.
Ky aktivitet kulturor është realizuar në saje të bashkëpunimit të ambasadës së Bullgarisë në Kosovë me Komunën e Prizrenit, raporton Telegrafi.
Sipas komunikatës, ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me Komunën e Prizrenit, duke shtuar se edhe ky aktivitet synon shtimin e shkëmbimit të përvojave në fushën e kulturës mes dy vendeve mike.
Ndërkohë edhe kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Antigona Berisha Bytyqi ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me ambasadën e Bullgarisë dhe njëherësh ka uruar mirëseardhje për të gjithë pjesëmarrësit nga vendet e ndryshme të rajonit.
Në anën tjetër, artisti bullgar Iliya Lukov ka theksuar se vitin e shkuar një koncert i ngjashëm është mbajtur në Shqipëri, dhe se kësaj here festa folklorike e ritmeve ballkanike është bartur në Kosovë për të shijuar bukuritë e muzikave popullore dhe për të komunikuar me zemra të hapura. /Telegrafi/