Punimet për largimin e kabllove dhe tw shtyllave elektrike nga sheshi Shatërvan i Prizrenit kanë nisur të martën. Sipas zyrtarëve të lartë komunalë, kabllot zhvendosen në gypat nëntokësorë, për të krijuar një pamje më të këndshme në Qendrën Historike të Prizrenit.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka theksuar se kjo zonë e mbrojtur ka pasur nevojë për largimin e kabllove dhe shtyllave, gjë që po jetësohet në saje të bashkëpunimit me KEDS-in dhe QRTK-në, raporton Telegrafi.
“Sot, definitivisht po largojmë shumë kabllo, edhe të rrymës edhe të operatorëve të internetit, sikurse edhe shtyllat dhe sheshi i Shatërvanit do të ketë një pamje të re, sikurse e gjithë zona historike. Është një hap në drejtim të përmirësimit të kualitetit të jetës së qytetarëve, krijimit të një ambienti më të këndshëm, më të mirë, dhe në të njëjtën kohë do të jetë një ambient më interesant edhe për vizitorët”, ka thënë Totaj.
Sipas tij, Komuna e Prizrenit do të shqyrtoj mundësitë që kjo punë të realizohet edhe në pjesët tjera të qytetit, kryesisht rreth unazës.
“Pos kësaj, parashihet edhe kompletimi i Qendrës Historike me kubëza, sikurse edhe krijimi i rendit për tavolina e tenda, që të jetë një ambient më i këndshëm për të gjithë vizitorët, sepse Qendra Historike është një aset i vlefshëm me impakt të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik lokal”, ka deklaruar Totaj.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj ka theksuar se punimet për largimin e kabllove dhe shtyllave do të vazhdojnë në javët në vijim, raporton Telegrafi.
“Fundi i muajit nëntor ose fillimi i dhjetorit do ta gjej pa kabllo sheshin e Shatërvanit, derisa bizneset e shtëpitë do të jenë të furnizuara me rrymë e internet”, ka thënë Lamaj, duke shtuar se investimet do të shtrihen në tërë Qendrën Historike të Prizrenit.
Punimet për largimin e këtyre kabllove dhe të shtyllave, dhe intervenimet tjera në këtë zonë, janë vlerësuar si të dobishme edhe nga udhëheqësi i komunitetit të gastronomëve në Shatërvan, Ilir Shala.
“Kur e kemi parë projektin e Shadërvanit të gjithë kemi qenë të pajtimit se këto punime do të na shërbejë në aspektin afatgjatë”, ka thënë Shala.
Punimet infrastrukturore në sheshin e Shatërvanit në Prizren kanë filluar më 6 mars të këtij viti dhe kostoja e këtij projekti kap vlerën prej 3 milionë eurove derisa punimet parashihet të realizohen brenda afatit tre vjeçar. /Telegrafi/