Site icon Telegrafi

Komuna e Vitisë organizon aktivitete të shumta në kuadër të Manifestimit “Flakadani i Karadakut”

Nën patronatin e Komunës së Vitisë dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, do të mbahet edicioni i 24-të i Manifestimit Tradicional Kulturo-Sportiv “Flakadani i Karadakut”, kushtuar heroit Nijazi Azemi – Komandant Mjekrra.

Ky manifestim do të përmbajë një varg aktivitetesh kulturore dhe sportive, të cilat do të zhvillohen nga data 22 deri më 26 mars.

Manifestimi do të hapet të hënën, më 24 mars, me një ceremoni solemne në Sallën e Koncerteve në ora 15:00, e ndjekur nga Festivali Kombëtar “Flakadani i Karadakut” në ora 15:45.

Festivali do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke përfshirë garat rajonale të recituesve dhe Orën e Madhe Letrarë në Shtëpinë e Kulturës.

Ndër këto aktivitete do të jetë homazhi te varrezat e dëshmorëve, i cili do të mbahet më 26 mars në ora 10:00, për të nderuar figurën dhe kontributin e heroit Nijazi Azemi.

Aktivitetet sportive do të fillojnë më 22 mars me garat në basketboll dhe gjimnastikë në shkollën e mesme teknike në Viti.

Të dielën, më 23 mars, do të mbahen garat sportive në shah në Bibliotekën Publike “Ramadan Musliu”, si dhe një ecje në nderim të heroit Nijazi Azemi nga fshati Stubëll deri në Letnicë.

Manifestimi do të përmbyllet më 25 mars me garat e futbollit në shkollën “Gjon Serreqi” në Mogillë, duke sjellë një fund dinamik për këtë ngjarje të rëndësishme për komunitetin.

Përmes këtij organizimi, Komuna e Vitisë synon të ruajë dhe promovojë vlerat kombëtare, kulturore dhe sportive, duke përkujtuar figurat historike dhe duke inkurajuar pjesëmarrjen aktive të të rinjve në jetën kulturore dhe sportive të qytetit. /Telegrafi/

Exit mobile version