Komuna e Vitisë ka marrë vendim për zgjatjen e orarit të punës për biznese gjatë muajit korrik dhe gusht.
Në dokumentin e lëshuar thuhet se kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti, ka marrë vendim për aprovimin e kërkesës nga Oda e Hotelerisë dhe Turizimit të Kosovës, që të zgjatet orari për biznese gjatë natës, për dy muaj.
Vendimi vlen për të gjitha bizneset e gastronomisë që sipas standardeve ligjore dhe normave të lejuara që gjatë ditëve të punës u lejohet zgjatja e orarit nga ora 23:00 deri në 24:00.
Tutje, thuhet se për zbatimin e këtij vendimi do të kujdeset Drejtoria e Inspeksionit dhe se ky vendim do të hyjë në fuqi ditën e nënshkrimit të kryetarit.
Mirëpo, ndaj këtij vendimi të marrë nga kryetari Haliti, në rrjetin social Facebook, ka pasur edhe kundërshtime nga qytetarët, raporton Telegrafi.