Site icon Telegrafi

Komuna e Prizrenit me veprime për trajtimin e qenve endacakë, kërkohet mbështetja edhe nga niveli qendror   

Foto ilustrim

Komuna e Prizrenit ka ndërmarrë veprime për trajtimin e qenve endacakë, kanë raportuar autoritetet përgjegjëse në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Sipas tyre aktualisht në fuqi është kontrata me një operator ekonomik për trajtimin e qenve endacakë, ndërkohë që në ndërtim e sipër është edhe strehimorja e përkohshme për këta kafshë. Por për zgjidhje të qëndrueshme është thënë se nevojitet mbështetja më e madhe nga niveli qendror.

Drejtori i Bujqësisë, Bexhat Bytyqi, duke folur para të pranishmëve ka bërë të ditur se në proces është ndërtimi i një strehimoreje me kapacitet për 114 qenë.

“Kjo strehimore do të ofrojë trajtim të përkohshëm për qentë endacakë, përfshirë kapjen, transportin, vaksinimin, sterilizimin, kastrimin dhe qëndrimin disa ditor, përpara se ata të kthehen në vendin ku janë kapur. Është mirë që qytetarët të jenë të informuar se kjo është një strehimore e përkohshme, që do të ofrojë trajtim bazuar në legjislacionin në fuqi”, ka thënë Bytyqi.

Sipas tij, në këtë strehimore nuk do të mundësi për qëndrimin e qenve deri në adoptim, dhe se kjo çështje duhet shqyrtuar edhe me nivelin qendror, për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.

Bexhat Bytyqi, Drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit

Zyrtari i lartë komunal gjithashtu ka bërë të ditur se Komuna ka një kontratë aktive me një operator ekonomik që do ti kryejë shërbimet e trajtimit të qenve endacakë deri në përfundimin e strehimores. Sipas drejtorit të Bujqësisë, ekipet komunale janë vazhdimisht në terren dhe reagojnë ndaj rasteve të raportuara.

Megjithatë, ende ekzistojnë shqetësimet për sigurinë publike. Anëtari i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Ertan Simitçi ka ngritur çështjen e qenve endacakë në lagjen “Ortakoll”, ku sipas tij, një grup prej 15 deri në 20 qenë janë parë afër semaforëve, në një zonë ku kalojnë shumë nxënës.

“Nxënësit kalojnë andej për të shkuar në shkollë. Besoj që aty duhet të njoftohet kompania dhe të ndërmerren masa për largimin e tyre”, ka thënë Simitçi.

Lexo po ashtu Fillon ndërtimi i strehimores së përkohshme për qentë endacakë në Prizren

Drejtori Bytyqi është zotuar se operatori ekonomik do të informohet menjëherë për të marrë masa.

Por ka sqaruar se qentë që tashmë janë të trajtuar dhe kanë vathë identifikues duhet të kthehen në vendin ku janë kapur, sipas legjislacionit në fuqi.

“Operatori ekonomik, sipas ligjit, nuk ka çfarë t’u bëjë qenve të trajtuar, pasi ka obligim ligjor t’i kthejë në vendin e tyre”, ka sqaruar Bytyqi. Megjithatë, ai ka theksuar se rasti do të verifikohet dhe nëse ka ndonjë qen që nuk është trajtuar ende, atëherë do të merret në kujdes nga shërbimet e kontraktuara.

Trajtimi i qenve endacakë mbetet një sfidë për komunat në Kosovë dhe kërkesat kanë qenë për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme në nivel kombëtar. /Telegrafi/

Exit mobile version