Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit ka ndërmarrë veprime për rritjen e sigurisë publike në qytet duke vendosur 40 hidrantë të rinj, prej të cilëve 10 janë mbitokësorë dhe 30 nëntokësorë.
Këta hidrantë, sipas njoftimit të Komunës janë instaluar në zonën historike të qytetit dhe në pjesët ku qasja e automjeteve është e vështirë, duke synuar mbrojtjen më të mirë nga zjarret, raporton Telegrafi.
“Ky projekt ka qenë më se i nevojshëm për të mundësuar operacione të shpejta dhe efikase të shërbimeve të zjarrfikësve në raste emergjente – për parandalimin e përhapjes së zjarrit dhe minimizimin e rreziqeve për jetën dhe pasurinë e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Ky projekt sipas zyrtarëve është konsideruar si një domosdoshmëri, pasi kësisoj sigurohet qasja e shpejtë në burime të ujit për parandalimin e përhapjes së zjarreve, duke minimizuar kështu rreziqet për jetën dhe pasurinë e qytetarëve, dhe monumentet në qendrën historike.
Për këtë arsye është kërkuar që ato të ruhen dhe mos të dëmtohen.
“Për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e jetës dhe pasurisë, kërkojmë bashkëpunim nga qytetarët për ruajtjen dhe mbrojtjen e hidrantëve të instaluara në qytet. Hidrantët janë pajisje të rëndësishme që përdoren në rast emergjencash për të luftuar zjarret. Çdo pengim i qasjes ose dëmtim i tyre mund të ketë pasoja të rënda për sigurinë e qytetit”, është shprehur drejtoresha për Emergjencë dhe Siguri, Ramize Sinanaj-Shala. /Telegrafi/