Site icon Telegrafi

Komuna e Prizrenit shpërndanë dru për ngrohje për kategoritë sociale

Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (DPMS) në Komunën e Prizrenit ka realizuar shpërndarjen e druve për ngrohje për 824 familje të kategorive të ndryshme sociale.

Përfituesit e këtij programi për vitin aktual sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit përshijnë 213 familje të dëshmorëve, 211 familje të invalidëve të luftës, si dhe 400 familje të cilat jetojnë në kushte të vështira ekonomike, raporton Telegrafi.

Programi i shpërndarjes së druve të zjarrit ka për qëllim që të ndihmojë familjet në nevojë, duke siguruar ngrohje për periudhën e dimrit për të lehtësuar sadopak barrën ekonomike për ta.

Gjatë shpërndarjes së druve, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, me drejtorin e DPMS-së, Rasim Demiri janë pajtuar për të zgjeruar programin në vitin e ardhshëm, duke përfshirë të gjitha familjet që marrin ndihmë sociale.

“Sipas të dhënave aktuale, në Komunën e Prizrenit numri i familjeve që përfitojnë ndihmë sociale arrin në rreth 700”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

 

Exit mobile version