Komuna e Prizrenit të premten ka publikuar agjendën për kremtimin e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, programi festiv nis me 14 shkurt nga ora 13:00 në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”.
Numri më i madh i aktiviteteve do të realizohen të hënën, me 17 shkurt 2025, në 17 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, raporton Telegrafi.
Kjo ditë nis me mbledhjen solemne të Kuvendit të Komunës për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, vazhdon me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, pastaj me program kulturor e sportiv dhe përmbyllet me koncertin e pavarësisë me këngë dhe valle popullore në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”.
“Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ju ftojmë ta festojmë së bashku këtë ditë historike, në të cilën u kurorëzua ëndrra dhe sakrifica e brezave të tërë për liri dhe shtetësi. Le ta shënojmë këtë përvjetor me krenari, unitet dhe gëzim, duke nderuar të kaluarën dhe ndërtuar të ardhmen e Kosovës!”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit. /Telegrafi/