Site icon Telegrafi

Komuna e Prizrenit përzgjedh operatorin për ndërtimin e objektit të ri të shoqatës “Esnaf”, vlera 375 mijë euro

Foto ilustrim i projektit

Komuna e Prizrenit ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës lidhur me projektin për ndërtimin e objektit të ri të shoqatës së biznesmenëve dhe zejtarëve “Esnaf”.

Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët, sipas këtij njoftimi, është shpallur oferta e grupit të operatorëve ekonomikë ” Triangle” dhe “Kontrolli” me vlerën financiare prej mbi 375 mijë eurove, raporton Telegrafi.

Procedura e prokurimit për projektin në fjalë ishte iniciuar në fund të tetorit të vitit të shkuar.

Lexo po ashtu Prizreni nis procedurat e prokurimit për objektin e ri të shoqatës “Esnaf”, vlera e parashikuar 430 mijë euro

Muajin e shkuar, shoqata “Esnaf” ka njoftuar se “pas 11 vitesh plot kujtime dhe suksese në ndërtesën e vjetër, po zhvendoset përkohësisht në zyrat në rrugën ‘Remzi Ademaj’, për të zhvilluar aktivitetet, shkaku i rrënimit të objektit aktual dhe ndërtimit të objektit të ri shumëfunksional”.

“Me padurim presim përfundimin e ndërtimit dhe inaugurimin e objektit të ri, i cili është projektuar për të ofruar shërbime më të mira për anëtarët e shoqatës “Esnaf” dhe afaristët prizrenas”, thuhej në njoftimin e kësaj shoqate, raporton Telegrafi.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe kryetari i Komunës së Prizrenit më 20 shkurt 2024 patën nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit në kuadër të Programit për Zhvillim Rajonal 2024 për projekte të investimeve kapitale, respektivisht për zbatimin e projektit të përbashkët “Ndërtimi i objektit administrativ për nevojat e zejtarëve “ESNAF”.

Shoqata e Biznesmenëve dhe Zejtarëve “Esnaf” është themeluar në vitin 1994, me qëllim që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik. /Telegrafi/

Exit mobile version