Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit pas pranimit të kërkesës nga komuniteti, të postuar në platformën ndreqe.com, ka intervenuar për riparimin e një rruge në lagjen “Ortakoll”.
Një qytetar, në muajin janar, përmes kësaj platforme ka adresuar shqetësimin për gropat në rrugën “Bekim Berisha”, përkatësisht për vështirësitë e qarkullimit të automjeteve dhe këmbësorëve.
“Situata përkeqësohet edhe më shumë pasi automjetet parkohen në anën e djathtë të rrugës, duke lënë vetëm anën e majtë për kalim, e cila është e dëmtuar dhe e pasigurt për t’u përdorur. Ju lutem që të ndërmerrni masa sa më parë për të riparuar këtë problem, pasi po shkakton vështirësi për banorët e lagjes dhe përdoruesit e rrugës”, thuhej në kërkesën për intervenim.
Lidhur me këtë çështje, Telegrafi, muajin e shkuar ka kërkuar përgjigje nga drejtori i DShP-së, Çelë Lamaj. Por ai ka kërkuar sqarime për lokacionin e saktë, meqë sipas tij një gjë e tillë nuk ishte precizuar në kërkesë. Pas marrjes së këtyre sqarimeve Lamaj ka autorizuar operatorin përkatës, dhe është realizuar intervenimi për riparimin e kësaj rruge.
Qytetarët po vazhdojnë të raportojnë në platformën Ndreqe.com për parregullsitë në vendbanimet e tyre, teksa organet përkatëse konform mundësive po ndërmarrin veprime për zgjidhjen e këtyre problemeve. /Telegrafi/