Site icon Telegrafi

Komuna e Prizrenit nuk do të parashtrojë ankesa për rastet e Kontratës Kolektive të Arsimit

Komuna e Prizrenit ka marrë vendim që për rastet që kanë të bëjnë me Kontratën Kolektive për Arsimin të mos parashtrojë ankesa ndaj aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prizren, në mënyrë që të përshpejtohet bartja e mjeteve tek punëtorët e arsimit.

Këtë qëndrim, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj e ka paraqitur në një takim me aktivistët e SBASHK-ut dhe drejtorët e shkollave, duke theksuar se vendimmarrja në fjalë bazohet në një shpjegim të Gjykatës Supreme lidhur me këtë çështje, raporton Telegrafi.

Fillimisht Totaj ka sqaruar se zbatimi i kësaj kontrate kolektive ka sjellë telashe për shkak të mos ndarjes së mjeteve nga niveli qendror, ani pse ajo ka qenë palë nënshkruese me SBASHK-un.

“Tani ne e kemi një shpjegim të Gjykatës Supreme dhe pas asaj çdo gjë ka qenë e qartë. Dhe meqë asnjë ankesë nuk ka qenë efektive dhe asnjë rast nuk është fituar, ne jemi konsultuar brenda Komunës, edhe me avokatë dhe kemi marrë komente se më e arsyeshme është mos me i bë ankesat, edhe me shkurtua procesin e transferimit të mjeteve te punëtorët e arsimit”, ka thënë Totaj.

Sipas tij, ky është një lajm i rëndësishëm që do të lehtësoj punën e mësimdhënësve.

“Tani ata mjetet do ti marrin më shpejtë, por edhe për Komunën është e rëndësishme që një çështje të tillë me e mbyll në mënyrë më efektive”, është shprehur Totaj.

Udhëheqësi i SBASHK-ut në Prizren, Reshit Kushaj ka vlerësuar se ky është një lajm i mirë për mësimdhënësit para fillimit të vitit të ri shkollor, raporton Telegrafi.

“Urojmë që të nis zbatimi i drejtpërdrejtë”, ka thënë Kushaj, duke arsyetuar se një gjë e tillë është dashur të ndodh më herët, marrë parasysh se në këtë drejtim ka pas sfida që nga viti 2014 kur është nënshkruar Kontrata e parë kolektive.

“Gjithmonë ka qenë interesimi ynë që kjo punë mos të kalojë nëpër gjykata që mos të humbim aq shumë kohë”, ka shtuar Kushaj.

Mësimdhënësi Fadil Pervizaj e ka cilësuar këtë iniciativë si të qëlluar dhe ka shtruar pyetjen nëse ka bazë ligjore.

Kryetari Totaj ka theksuar se shpjegimi i Gjykatës Supreme ka përcaktuar këtë vendimmarrje.

“Në bazë të atij shpjegimi ne kemi marrë një vendim të tillë”, është shprehur ai.

Ndërsa drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj ka theksuar se Komuna e Prizrenit qëndron afër komunitetit të mësimdhënësve, në mënyrë që bashkë me komunitetin shkollor të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së arsimit.

Kontrata Kolektive e Arsimit përveç tjerash parasheh të drejtën e shtesës për përvojë në punë për të punësuarit në institucionet arsimore, kompensimin për ushqim gjatë punës, po ashtu shpërblimin jubilar në vitet jubilare të punësimit, sikurse edhe pagesë përcjellëse për mësimdhënësit që dalin në pension. /Telegrafi/

 

Exit mobile version