Site icon Telegrafi

Komuna e Prizrenit ndërhyn për pastrimin e mbeturinave në lagjen “Jeta e Re”

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit ka ndërmarrë veprime për pastrimin e mbeturinave përgjatë rrugës “Tahir Gashi” në lagjen “Jeta e Re”, si rrjedhojë e shqetësimeve të ngritura nga përfaqësuesit e kësaj lagjeje.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Çelë Lamaj, ka njoftuar se pas sinjalizimit nga kryetari i bashkësisë lokale “Jeta e Re”, Shkumbin Bytyqi, në koordinim me ndërmarrjen publike “Ekoregjioni” është realizuar aksioni për pastrimin e zonës nga mbeturinat, të cilat janë hedhur në mënyrë të pakontrolluar.

“Apelojmë tek të gjithë qytetarët që të mos hedhin mbeturina vend e pavend, sepse shumë shpejt do të pasojnë gjoba, të cilat nuk janë të vogla”, ka deklaruar Lamaj, raporton Telegrafi.

Kjo ndërhyrje e Komunës ka ardhur pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësuesit e lagjes, të cilët nëpërmjet rrjeteve sociale patën shprehur indinjatën për ndotjen e trotuarit në rrugën “Tahir Gashi”.

Lexo po ashtu Përfaqësuesit e lagjes “Jeta e Re” në Prizren kërkojnë pastrimin e mbeturinave dhe më shumë përgjegjësi qytetare

Përfaqësuesit e lagjes kanë bërë thirrje për më shumë kujdes dhe përgjegjësi qytetare në mbrojtjen e mjedisit.

Ngjashëm është shprehur edhe drejtori Lamaj. “Ta ruajmë mjedisin ku jetojmë!”, është shprehur ai. /Telegrafi/

Exit mobile version