Site icon Telegrafi

Komuna e Prizrenit investon 80 mijë euro për krijimin e kushteve më të mira për Drejtorinë e Urbanizmit

Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën  e Prizrenit do të vijoj punën në zyrat e rinovuara falë projektit të zbatuar nga Drejtoria e Administratës.

Rinovimi i këtyre hapësirave sipas zyrtarëve të lartë komunalë ka për qëllim krijimin e një ambienti më të rehatshëm dhe profesional, që do të ndihmojë në rritjen e efikasitetit të punës dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, raporton Telegrafi.

Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj ka theksuar se ky projekt ka qenë i domosdoshëm shkaku i rëndësisë që ka kjo drejtori në zhvillimin e qytetit.

“Prej fillimit të mandatit kemi pasur kërkesa nga DUPH-ja për hapësira të reja të punës, për një mini-arkiv, për shkak se me të vërtetë ka pasur mungesë të hapësirës, të arkivit, dhe shumë lëndë janë mbajtur nëpër zyre në kushte të vështira. Meqë është një nga drejtoritë e rëndësishme, që ka të bëj me zhvillimin e qytetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Administratës është rinovuar një pjesë e ndërtesës ku tani do të vendoset DUPH-ja”, ka thënë Totaj.

Drejtori i Urbanizmit, Pranverim Berisha ka theksuar se ambientet e reja të punës do të jenë motivim shtesë për vazhdimin e punës profesionale nga ana e punonjësve të këtij dikasteri.

Ndërkaq drejtori i Administratës, Edin Shehu ka bërë të ditur se prej fillimit të mandatit qëllimi i këtij dikasteri ka qenë shërbimi efikas ndaj qytetarëve dhe krijimi i kushteve më të mira të punës për punonjësit e Komunës, raporton Telegrafi.

“Me këtë investim janë krijuar hapësira më të përshtatshme për punë të punonjësve të DUPH-së, sikurse edhe për ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe për takimet me palët”, është shprehur Shehu.

Vlera e këtij investimi sipas zyrtarëve komunalë ka qenë rreth 80 mijë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version