Site icon Telegrafi

Komuna e Prizrenit dakordohet me dy partnerë për të mbështetur Inkubatorin e Bizneseve

Komuna e Prizrenit i është bashkëngjitur nismës për mbështetjen e bizneseve të reja dhe inovacionit me Makerspace Innovation Center Prizren dhe me GIZ Kosova. Në këtë kuadër parashihet mbështetja për ndërmarrësit e rinj në formë të Inkubatorit të Bizneseve.

“Në kuadër të forcimit të mbështetjes për zhvillimin e bizneseve të reja Start-Up dhe nxitjen e inovacionit, sot Kryetari Shaqir Totaj nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me GIZ Kosova dhe Makerspace Innovation Center Prizren, për realizimin e projektit të Inkubatorit të Bizneseve Start-Up dhe Pre-akseleratorit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit, raporton Telegrafi.

Përmes këtij projekti, bizneset Start-Up do të kenë mbështetje të specializuar, qasje në rrjete profesionale dhe mundësi për të zhvilluar më tej idetë e tyre inovative, duke rritur kështu perspektivat për sukses afatgjatë. Aktivitetet realizohen në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren.

“Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të ekosistemit të ndërmarrësisë në vend, duke rritur mundësitë për sukses dhe qëndrueshmëri të bizneseve të reja Start-Up në inovacion e teknologji”, përfundon njoftimi i Komunës së Prizrenit. /Telegrafi/

Exit mobile version