Me rastin e Ditës së Mësuesit, sot në Kuvendin Komunal të Prishtinës është mbajtur një një seancë solemne.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, thotë se kanë falënderuar e shprehur mirënjohje të thellë për mësuesit e Kryeqytetit, transmeton Telegrafi.
“Sot, me rastin e Ditës së Mësuesit, në një seancë solemne në Kuvendin Komunal, shprehëm mirënjohjen tonë të thellë për mësuesit e Kryeqytetit, të cilët me punën, përkushtimin dhe dashurinë për dijen krijojnë bazën e zhvillimit të çdo shoqërie dhe individi. Sot, ndamë mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar që, me devotshmërinë dhe pasionin e tyre, kanë kontribuar në krijimin e kuadrove të arsimit. Ata janë shembuj të përkushtimit të pashtershëm për profesionin e tyre”, ka shkruar Rama.
Tutje, ai ka shkruar se ” në këtë ditë, dua të shpreh mirënjohjen time edhe për punën e drejtoreshës Jehona Lushaku, në reformimin e arsimit, krijimin e kushteve më të mira për nxënës dhe mësues, si dhe për kontributin e saj në ngritjen e cilësisë së arsimit”.
“Ju falënderojmë të gjithëve, nga zemra, për punën tuaj të jashtëzakonshme. Vazhdoni tutje misionin tuaj të shenjtë, sepse me ju ndërtojmë të ardhmen”./Telegrafi/